Në zonën e Astirit, banorët prej më shumë se gjysmë viti jetojnë mes plehrave, të detyruar të mbyllen në shtëpi për shkak të ndotjes.
Për banorët e lagjes Astir në Tiranë, mbeturinat janë kthyer në një makth të përditshëm. Prej më shumë se gjashtë muajsh, askush nuk ka ardhur të pastrojë, ndërsa plehrat janë grumbulluar pranë pallateve duke kthyer zonën në një vatër ndotjeje. Askush nuk merr përgjegjësi dhe askush nuk dëgjon.
Shumë prej banorëve janë shprehur se nuk munden më të qëndrojnë në ballkon apo të hapin dritaret për shkak të erës së padurueshme që vjen nga pirgjet e mbetjeve. Situata është aq e rënduar, sa disa familje janë të detyruara të largohen nga banesat e tyre për të shmangur ndotjen dhe aromën e rëndë.
Qytetarët denoncojnë se ky neglizhencë ka ndodhur pavarësisht kërkesave dhe ankesave të përsëritura drejtuar bashkisë. Institucionet heshtin, ndërsa grumbujt e plehrave rriten përditë. Shkaktarët mbeten pa emër dhe pa përgjegjësi.
"Në Astir ka mbi 6 muaj kjo gjendje kështu. Na kanë bërë të ikim natën nga këtu, s’dalim dot në ballkon nga plehrat", denoncojnë qytetarët pranë redaksisë së JOQ.
Përveç ndotjes vizuale dhe ndjesisë së papastërtisë, rreziku për shëndetin publik është real. Mbetjet tërheqin insekte, brejtës dhe krijojnë kushtet ideale për përhapjen e sëmundjeve. Fëmijët nuk mund të luajnë dhe të moshuarit detyrohen të qëndrojnë të izoluar.
Banorët shprehen se kjo është një formë shpërfilljeje që i ka lënë ata në mëshirën e mbeturinave.
Në një kohë kur Tirana pret turistë dhe promovon imazhin e saj si qytet modern, lagje si Astiri dëshmojnë realitetin e hidhur të një administrimi që ka lënë pas dore jetën e qytetarëve të zakonshëm.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe u bëjnë thirrje institucioneve të ndërmarrin masa konkrete, jo vetëm për të pastruar, por për të garantuar që kjo situatë të mos përsëritet më. Heshtja e autoriteteve po i bën ata të ndihen të braktisur.