Ministrat e jashtëm të BE-së vendosin sot për më shumë veprime për ndihmat në Gaza

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 15.07.2025, 16:05

BE-ja kërkon zbatim urgjent të marrëveshjes me Izraelin për të garantuar hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza, mes presionit në rritje për armëpushim.

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Izraelit të japë llogari për zbatimin konkret të marrëveshjes së arritur për lehtësimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se dokumentet nuk mjaftojnë dhe kërkoi përmirësim real të gjendjes në terren.

Ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së mblidhen sot në Bruksel për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes së fundit, e cila u ndërmjetësua mes Kallas dhe ministrit të jashtëm izraelit, Gideon Saar. Ky i fundit kishte premtuar javën e kaluar lehtësimin e hyrjes së ndihmave bazë në zonën e rrethuar.

Sipas Kallas, angazhimi me shkrim nuk është i mjaftueshëm nëse në praktikë ndihmat nuk mbërrijnë tek njerëzit. Ajo theksoi se situata nuk ka ndryshuar ndjeshëm dhe paralajmëroi se pa zbatim konkret, çdo përpjekje mbetet e pamjaftueshme. “Duhet të ndalemi dhe të reflektojmë: çfarë ndihmash kemi arritur të dërgojmë realisht?” tha ajo, duke nënvizuar domosdoshmërinë e një armëpushimi.

Ndërkohë, BE-ja ka hedhur poshtë çdo bashkëpunim me Fondin Humanitar të Gazës të kontrolluar nga Izraeli, duke ngritur shqetësime për mungesë të standardeve etike dhe të sigurisë. Prioriteti i radhës është hapja e më shumë pikave kufitare dhe rritja e qarkullimit të kamionëve me ndihma.

Shtete si Irlanda, Holanda dhe Spanja kanë kërkuar rishikim të thellë të marrëdhënieve të BE-së me Izraelin, në dritën e të dhënave që tregojnë për shkelje të të drejtave të njeriut në Gaza. Një raport i Komisionit Evropian ka identifikuar shenja se Izraeli ka shkelur detyrimet që burojnë nga marrëveshjet me BE-në.

Ministri i Jashtëm holandez, Caspar Veldkamp, deklaroi se presioni publik nga të gjitha vendet e BE-së ishte thelbësor për arritjen e kësaj marrëveshjeje. “Kjo forcë kolektive e 27 vendeve është ajo që dua ta mbrojmë,” u shpreh ai.

Lufta në Gaza shpërtheu pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, që shkaktoi 1.200 viktima në Izrael dhe rrëmbimin e 251 personave. Si kundërpërgjigje, sulmet izraelite në Gaza kanë vrarë mbi 58.000 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

Pavarësisht përpjekjeve, komisionarja për ndihmën humanitare, Hajda Lahbib, pranoi se ndihmat që kanë arritur në Gaza janë të papërfillshme në raport me nevojat e mëdha. Ajo kërkoi masa konkrete për të rritur ndjeshëm shkallën e asistencës në terren.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit