Taulant Çala, nga Berati një shtetas shqiptar që jeton në Irlandë prej 16 vitesh, i është vjedhur identiteti i tij nga një person me precedentë penal.
Në vitin 2015, kur kërkonte të pajisej me pasaportë shqiptare për të rregulluar dokumentacionin në Irlandë, mësoi se dikush tjetër kishte marrë një pasaportë biometrike në emrin e tij, me të dhëna identike por me një tjetër foto.
Në një intervistë për TVA News, ai thotë se kjo situatë solli pasoja, përfshirë edhe ndalesa në aeroporte dhe moslejim kalimi nga autoritetet gjermane, ku identiteti i tij figuron i përfshirë në vepra penale të rënda.
Pavarësisht denoncimeve të bëra në polici, problemi vazhdon të jetë i pazgjidhur. Çala thotë se personi që ka përvetësuar identitetin e tij ka marrë edhe një pasaportë të re në gusht 2016 dhe vazhdon ta përdorë atë deri më sot.
Emigranti shqiptar thotë se e ka denoncuar rstin në polici, ka adresuar ccështjen në Ministrinë e Brendshme, Gjendjen Civile Berat, por nuk ka marrë zgjidhje. Ai mbetet i rrezikuar në çdo udhëtim dhe pa sigurinë ligjore që i takon.
Taulant Çala kërkon drejtësi dhe ndihmën e institucioneve shqiptare për të rikthyer dinjitetin e tij dhe për të ndalur abuzimin që po i shkatërron jetën.