Një familje në rrugën “Ali Demi” zuri hapësirë publike me beton e makina, ndërsa babë e bir përfundojnë nën hetim për vepra penale të shumta.
Një tjetër rast abuzimi me hapësirën publike është ndërprerë nga autoritetet në Tiranë, ku një familje kishte bllokuar një segment të rrugës “Ali Demi” duke hedhur beton dhe vendosur automjete mbi territorin që u përket qytetarëve.
Policia e Shtetit ndërhyri pas një urdhri zyrtar, si pjesë e një operacioni më të gjerë për lirimin e hapësirave publike në kryeqytet. Pas ndërhyrjes, u konstatua se bllokimi ishte kryer nga familjarët e një 67-vjeçari, i arrestuar pak ditë më parë për çështje të ngjashme.
Shtetasi B. D., 67 vjeç, dhe djali i tij, E. D., 25 vjeç, tashmë përballen me disa akuza penale. Hetuesit thonë se ata janë përgjegjës për falsifikim dokumentesh, pengim të qarkullimit, vetëgjyqësi dhe kanosje të qytetarëve të tjerë.
Operacioni u krye nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me strukturat e “Shqiponjave”, Komisariatin Nr. 1 dhe Drejtorinë e Mirëmbajtjes së Trotuareve e Zgarave të Bashkisë Tiranë. Autoritetet hoqën blloqet e betonit që pengonin kalimin dhe sekuestruan dy automjete të përdorura për zënien e rrugës.
Sipas të dhënave hetimore, familja kishte tentuar të përvetësonte hapësirën publike përmes dokumentesh të falsifikuara, ndërkohë që kishte shkaktuar konflikte me banorët e zonës. Zënia ishte e përsëritur dhe shoqëruar me kërcënime të drejtpërdrejta.
Materialet e çështjes janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku do të vijohet me hetime të mëtejshme ndaj të dyshuarve.
Zyrtarët konfirmojnë se ndërhyrje të tilla do të vazhdojnë në Tiranë dhe në gjithë vendin për të çliruar çdo hapësirë publike të uzurpuar në mënyrë të paligjshme.