Albulena Haxhiu kishte bërë kërkesë zyrtare për transferimin e kunatit të saj dhe katër të tjerëve të dënuar për rastin “Kumanova” në Maqedoninë e Veriut.
Ministrja e Drejtësisë në gushtin e vitit të kaluar i kishte kërkuar homologut të saj nga Maqedonia e Veriut që pesë të dënuar të transferohen në burgjet e Kosovës, të cilat i menaxhon ajo. Muhamet Krasniqi, kunati i Haxhiut, është i dënuar me burgim të përjetshëm.
Nëpërmjet kësaj letre, Haxhiu i kishte kërkuar Ministrisë së Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut të lejojë transferimin në burgjet e Kosovës të kunatit të saj Muhamet Krasniqit dhe katër të tjerëve.
Pesë të dënuarit për terrorizëm në rastin ‘Kumanova’: Muhamet Krasniqi, Bajram Elshani, Bek Bajra, Betim Kabashi dhe Demë Shehu ndodhen në burgjet e Maqedonisë së Veriut.
Ani pse jo direkt, ministria e Drejtësisë në Shkup e ka konfirmuar se transferimi ende nuk është realizuar.
“Procedurat e ekstradimit janë komplekse dhe të mbikëqyrura nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe legjislacioni kombëtar. Ndarja e informacioneve është e rregulluar strikt me ligjet dhe rregullat dhe për këto arsye ne nuk do të ndajmë informacione që mund të rrezikojnë drejtimin e procedurave”.
Në letrën e 21 gushtit, Haxhiu i kishte shkruar homologut të saj, Igor Filkov me kërkesën për transferimin e pesë të dënuarve nga Institucionet Korrektuese të Maqedonisë së Veriut në ato të Kosovës.
Përveç kunatit të saj, Muhamet Krasniqit, në listën për transferim ishin edhe Bajram Elshani, Bek Bajra, Betim Kabashi dhe Demë Shehu.
Andi Krasniqi në vitin 2017 ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Shkupit me burgim të përjetshëm. 37 pjesëtarë të grupit ishin akuzuar për terrorizëm.
Burgim të përjetshëm vuajnë edhe Bek Bajra nga Gjilani dhe Demë Shehu nga Deçani.
Ndërkaq, Bajram Elshani është i dënuar me 40 vjet burgim bashkë me Betim Kabashin nga Prizreni.
Gjykata Themelore e Shkupit ka dënuar me gjithsej 746 vjet burg pjesëtarët e grupit të Kumanovës, të akuzuar për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015.
Në përleshjet e armatosura që zgjatën dy ditë më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, janë vrarë 8 pjesëtarë të forcave policore dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.
Grupi kishte deklaruar se vendosja në Kumanovë ishte bërë për shkak të shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.