Më 4 korrik, në orët e para të mëngjesit, një ngjarje tronditëse ndodhi në Qendrën e Ndalimit të Stacionit Policor në Suharekë, ku Nazif Kololli, 46 vjeç, humbi jetën nën rrethana të dyshimta. Sipas të dhënave të para, ai dyshohet se është vetëvarur në qeli gjatë qëndrimit të tij në ndalim. Megjithatë, familja e të ndjerit ka ngritur dyshime të forta në lidhje me versionin e ofruar nga autoritetet, duke kërkuar drejtësi dhe një hetim të plotë mbi ngjarjen.
Në një intervistë për TVA News avokati i familjes Kololli, Gent Gjini dhe daja i të ndjerit theksojnë se ka një skandal të madh lidhur me këtë vdekje. Avokati është shprehur se si është e mundur që një ngjarje e tillë të ndodhte brenda stacionit policor, dhe se kamerat e sigurisë nuk janë aktive apo nuk kanë regjistruar ngjarjen. Ai ka ngritur shqetësimin që, pavarësisht faktit se tre oficerë të policisë janë pezulluar, ende nuk është nisur një procedurë penale ndaj tyre.
Avokati dhe familjarët kërkojnë që të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë ngjarje të dalin para drejtësisë.