Muaji korrik ka hyrë në fazën më të nxehtë të tij, me valë të të nxehtit që po përfshijnë thuajse gjithë territorin e vendit.
Sipas meteorologes Lajda Porja, pritet që temperaturat të arrijnë kulmin gjatë ditës së nesërme dhe të premten, duke kapur vlerat maksimale deri në 41°C.
Ajo ka deklaruar se qarqet Shkodër, Elbasan, Berat dhe Korçë do të përjetojnë temperaturat më ekstreme, ndërsa shumë qytete të tjera, përfshirë ato në vijën bregdetare, do të regjistrojnë vlera të larta që do të shkojnë deri në 38–39°C.
Sipas saj, pas një jave më të freskët, masat ajrore të nxehta janë rikthyer, duke shënuar një 15-ditësh shumë të nxehtënë pjesën e dytë të korrikut. Pritet që vlerat prej 41°C të qëndrojnë gjatë gjithë kësaj periudhe dhe, në disa zona, madje të tejkalohen.
“Nga dita e djeshme, pas javës së freskët që lamë pas, janë rikthyer masat e nxehta që do të kulmojnë të premten. Nesër parashikohet të jetë një kulm i valëve në të paktë tre qarqe të vendit: Shkodër, Elbasan dhe Berati do t’i afrohen temperaturës 41 gradë, ndërsa shumë qytete të tjera do të jenë shumë afër kësaj vlere me temperatura 38 apo 39 gradë, kryesisht në vijën bregdetare.
Në pjesën e dytë e të korrikut do të përjetojmë një 15 ditësh mjaft të nxehtë, ku shumë qytete do të përjetojnë netë tropikale. Presim gjatë gjithë këtij 15 ditësh një temperaturë 41 gradë, por vende vende do të kalohet kjo vlerë.
Parashikohet në fund të korrikut të ketë reshje të herë pas hershme në zona të veçanta. Por nga sot, na pret një korrik dinamik, ku do kemi shumë ditë me temperatura shumë të larta.
Të enjten dhe të premten do të rriten dhe temperaturat minimale që do ta bëjë edhe më të vështirë. Dita e nesërme do të jetë kulmi në Korçë, Berat, Elbasan dhe zona e Shkodrës ku vlerat do të jenë 41 gradë temperaturat”.
Megjithatë, në fund të muajit korrik parashikohen reshje të herë pas hershme në zona të caktuara, por temperaturat e larta do të vijojnë të jenë dominante.