Pak ditë më parë, mbikalimet përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, në zonën e Kasharit, u shembën për t’i hapur rrugë zgjerimit të autostradës. Megjithëse projekti synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore, pasojat për banorët dhe punëtorët e bizneseve përgjatë këtij segmenti kanë qenë të menjëhershme dhe shqetësuese.
Shembja e këtyre mbikalimeve ka lënë komunitetin pa asnjë alternativë të sigurt për kalimin në anën tjetër të autostradës. Në mungesë të një zgjidhjeje të përkohshme nga institucionet përgjegjëse, qytetarët janë detyruar të rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë duke kaluar përmes trafikndarëses dhe mes automjeteve që lëvizin me shpejtësi të lartë.
Pamjet e mbërritura në redaksinë tonë tregojnë një burrë që pret mbi trafikndarësen për të kaluar në anën tjetër të rrugës, duke vënë në rrezik jo vetëm jetën e tij, por edhe të drejtuesve të tjerë të mjeteve.
Banorët kërkojnë urgjentisht ndërhyrjen e autoriteteve për të ofruar një zgjidhje të përkohshme dhe të sigurt, deri në përfundimin e punimeve për zgjerimin e autostradës. Në të kundërt, ky segment mund të kthehet shumë shpejt në një vatër aksidentesh me pasoja tragjike.