Giorgia Meloni dhe Friedrich Merz përforcojnë aleancën e re konservatore përballë presioneve globale dhe debatit për të ardhmen e Evropës.
Në skenën gjithnjë e më të polarizuar të politikës europiane, po kristalizohet një bosht i ri politik që bashkon kryeministren italiane Giorgia Meloni me kancelarin gjerman Friedrich Merz. Kjo “aleancë e çuditshme”, siç e quajnë disa media gjermane, duket se ka gjetur një terren të përbashkët në qëndrime të ashpra ndaj migracionit, në përkrahje të industrive kombëtare dhe në qëndrimet më pragmatike ndaj SHBA dhe Donald Trump-it.
Dyshja ka arritur të bindë edhe presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, që të heqë dorë nga një nga projektet më ambicioze fiskale të BE-së: taksa minimale globale 15% ndaj gjigantëve të teknologjisë. Kjo lëvizje sinjalizon një qasje më fleksibël ndaj korporatave dhe një orientim më pak rregullator në një moment kur ekonomitë europiane kërkojnë rimëkëmbje industriale dhe ulje kostosh.
Në qendër të kësaj aleance qëndrojnë interesa të qarta kombëtare: mbrojtja e prodhuesve të automobilave, çelikut dhe aluminit, sidomos në tregtinë me Shtetet e Bashkuara. Italia, me prodhimin e saj të çelikut cilësor, dhe Gjermania, me eksportet e fuqishme industriale, janë të gatshme të bëjnë lëshime përballë Uashingtonit – madje edhe në formën e blerjeve të gazit – për të ruajtur aksesin në tregjet amerikane.
Meloni dhe Merz-i janë gjithashtu në një linjë për çështjet e migracionit. Merz ka shprehur gatishmërinë të ndjekë modelin e marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për pritjen e emigrantëve, duke u përpjekur të zbehë kujtimet e bashkëpunimit të mëparshëm me partinë ekstremiste AfD. Ndërkohë, Meloni e përforcon narrativën e saj se kontrolli i emigracionit është çështje sovraniteti, jo humanitarizmi.
Në arenën diplomatike, kjo dyshe qëndron larg personalizimit të politikës. Ata kanë kritikuar hapur qasjen individualiste të Emmanuel Macron dhe kanë theksuar se vendimmarrjet strategjike për Perëndimin duhet të mbështeten te bashkëpunimi, jo te protagonizmi. Ata gjithashtu ndajnë skepticizmin ndaj von der Leyen, sidomos kur bëhet fjalë për mënyrën si duhet të negociohet me Trump-in: pa iluzione dhe me qëllime konkrete.
Mediat gjermane nuk kanë ngurruar të vënë në dukje këtë partneritet në zhvillim. Der Spiegel flet për një “inteligjencë strategjike transatlantike” mes tyre, ndërsa ZDF-ja përmend një bashkëpunim të thelluar në çështjen e migracionit dhe konsultimet dypalëshe. Bild, megjithë stilin e vet sarkastik, e quan Melonin “udhëheqëse të heshtur të Evropës”. Nëse ky bosht i ri do të jetë afatgjatë, mbetet për t’u parë, por ndikimi i tij tashmë ndjehet qartë në agjendën europiane.