Pasurim mbi jetët e qytetarëve: si u kthye Butrinti në plaçkë për oligarkët e betonit

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 14.07.2025, 22:32

Ndërsa shqiptarët luftojnë për të mbijetuar me rroga minimale dhe shëndet të rrënuar, një grup biznesmenësh dhe zyrtarësh shtetërorë po ndërtojnë pasuri marramendëse nga vjedhja e burimeve publike dhe mjedisit.

Ndërtimi i “Resort Manastirit” brenda Parkut Kombëtar të Butrintit është më shumë se një skandal mjedisor – është një dëshmi e qartë e pastrimit të parave dhe korrupsionit me bekimin e shtetit. Kompania “AlbStar” e Idajet Ismailajt, me lejen e dhënë nga Mirela Kumbaro, e nisi ndërtimin si një “pikë të vogël” që sot është kthyer në një qytezë luksoze, ndërkohë që qytetarët mezi nxjerrin muajin mes problemeve sociale dhe mungesës së trajtimit shëndetësor.

E njëjta kompani që sot ngre resorte në zona të mbrojtura është e përfshirë në një skemë të qartë evazioni fiskal me gjigandin e naftës “Bankers Petroleum”. Sipas një hetimi të Prokurorisë së Fierit, Bankers ka përfituar 5.5 miliardë euro nga shitja e naftës, por ka raportuar 117 milionë euro humbje përmes shpenzimeve fiktive. Nga kjo skemë, “AlbStar” ka përfituar të paktën 22 milionë euro vetëm në vitin 2011.

Kjo nuk është thjesht një aferë fiskale. Dokumentet tregojnë se kemi të bëjmë me një organizatë të mirëstrukturuar kriminale, e cila për dy dekada ka zhytur duart në thesin e shtetit, duke përfituar dhjetëra miliona euro që duhet të shkonin për spitale, arsim dhe ndihmë sociale. SPAK-u ka në dorë të ndjekë këto para dhe t’i rikuperojë nëse do të ketë vullnet të mjaftueshëm për të përballuar një fuqi që ka depërtuar deri në sistemin gjyqësor.

Në vitin 2021, “AlbStari” mori statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e resortit luksoz në një nga perlat natyrore të vendit, me mbështetjen direkte të qeverisë. Leja u justifikua si një “ndërhyrje e vogël”, por faktet tregojnë një tjetër realitet. Harta fillestare u shumëfishua brenda pak vitesh, duke u shndërruar në një mega-kompleks në tokë publike, me ndihmën e Këshillit Kombëtar të Territorit.

Në vitin 2022, qeveria uli kufijtë e Parkut Kombëtar të Butrintit me 800 hektarë. Ky “ajrim i parkut” i hapi rrugë projektit “Manastiri Resort”, i përbërë nga kompanitë “Finman” e Sadik dhe Idajet Ismailaj dhe “Andi” shpk e Andi Gjiknurit. Vetëm dy javë pas krijimit të kësaj shoqërie, qeveria i dha statusin strategjik. Ky bashkim u shpërbë një vit më pas, kur Gjiknuri shiti aksionet te ortakët Ismailaj.

Projekti është kundërshtuar publikisht nga 25 organizata mjedisore dhe profesorë të shkencave të natyrës. Sipas tyre, ulja e statusit të mbrojtjes ligjore për këto zona shërben për të mbuluar interesa ndërtimi dhe urbanizimi që rrezikojnë biodiversitetin dhe trashëgiminë kulturore. Por qeveria dhe institucionet përgjegjëse nuk kanë bërë asgjë për të ndaluar këtë katastrofë.

Ndërkohë, pas “Manastiri Resort” qëndron një rrjet kompanish të kontrolluara nga vëllezërit Ismailaj. Përmes kompanive “Finman”, “Motus”, “Prodev” dhe “Alb-Star”, ata kanë marrë koncesione, tendera publikë, hidrocentrale dhe leje ndërtimi në mënyrë të dyshimtë. Lista përfshin edhe kompani si “Vibtis”, “Arena S&P”, “ASAB”, “AOS” dhe “Manastiri Resort”, që të gjitha me lidhje klienteliste dhe me përfitime në miliona euro.

Një emër tjetër është Fesbian Myftari, i cili shfaqet si një hallkë kyçe në skemën e ndërtuar nga familja Ismailaj për të pastruar para dhe përfituar nga fondet publike. Ai rezulton administrator i disa prej kompanive të lidhura me këtë rrjet, përfshirë “Prodev” dhe “Space+”, e fundit një subjekt që ka marrë leje për funksionimin e një kazinoje luksoze në Hotel Marriott në Tiranë. Prania e tij në këtë aferë nuk është rastësore: ai vepron si njeriu i besuar që firmos, përfaqëson dhe zbaton vendimet e dyshes Sadik dhe Idajet Ismailaj, duke e bërë pjesë të një skeme të gjerë abuzimesh me tendera, leje ndërtimi dhe projekte strategjike në dëm të interesit publik dhe mjedisit shqiptar.

Në skemën e pasurimit të dyshimtë përfshihet edhe emri i oligarkut rus Oleg Deripaska, i cili ka bashkëpunuar me Ismailajt në sektorin energjetik dhe është dënuar për korrupsion dhe lidhje me ndërhyrjet ruse në zgjedhjet amerikane. Deripaska përfitoi 20 milionë euro nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe u përpoq të ndikonte në politikën shqiptare përmes lidhjeve me ish-zyrtarë të FBI-së.

“Vibtis”, një nga kompanitë e Ismailajve, ka përfituar 33 tendera me vlerë mbi 6 milionë euro nga Albpetrol dhe OST, ndërsa ASAB ka nisur të fitojë tendera për beton dhe rikonstruksione rrugësh. Të gjitha këto kompani veprojnë si tentakula të një oktapodi që po thith çdo fond publik, duke lënë pas një popull që s’ka më as shpresë e as të drejtë mbi tokën e vet.

Ndërsa miliona euro derdhen në xhepat e këtij rrjeti oligarkësh dhe politikanësh bashkëpunëtorë, qytetarët e zakonshëm presin me orë për një vizitë në spital, jetojnë në kushte mjerimi dhe emigrojnë për të shpëtuar fëmijët nga varfëria. Historia e “Resort Manastirit” është vetëm maja e ajsbergut – por mjafton për të kuptuar se drejtësia, nëse ka guxim, duhet të veprojë tani.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit