Mbrëmjen e sotme, në qendër të Thethit po zhvillohet një aksion i tensionuar nga IKMT, i cili synon shembjen e godinës së fundit të parashikuar në kuadër të operacionit për prishjen e ndërtimeve të konsideruara pa leje në zonë. Por ky aksion po has në rezistencë të fortë nga familjarët, të cilët po bëjnë çmos për të ndaluar fadromat.
Banorët kanë bllokuar rrugën përpara objektit, duke u ulur në tokë dhe duke penguar kalimin e mjeteve të IKMT-së. Ata kërkojnë një vendim gjykate që të justifikojë ligjërisht shembjen, duke theksuar se nuk janë njoftuar në mënyrë të rregullt dhe transparente. Në shenjë proteste, të gjithë anëtarët e familjes janë futur brenda banesës, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen.
Në përpjekje për të vijuar me operacionin, policia ka krijuar një kordon sigurie dhe ka tentuar të largojë qytetarët nga zona, por tensionet janë rritur ndjeshëm.
Fadromat kanë tentuar të fillojnë shembjen, por janë ndalur, pasi në ndërtesë janë futur anëtarët e familjes që refuzojnë të dalin, duke rrezikuar edhe jetën për të mbrojtur shtëpinë e tyre.
Aksioni është ende në zhvillim dhe përplasjet verbale mes palëve po përshkallëzohen, ndërsa banorët kërkojnë drejtësi dhe dokumentacion të qartë për vendimin e shembjes.
