Trump armatos Ukrainën dhe paralajmëron sanksione për vendet që blejnë naftën ruse

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 15.07.2025, 00:49

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë një ndryshim të papritur të politikës së tij ndaj luftës në Ukrainë, duke njoftuar se do të dërgojë armë të sofistikuara në ndihmë të Kievit dhe paralajmëroi sanksione ndaj çdo shteti që vazhdon të blejë naftë nga Rusia, nëse Moska nuk pranon një marrëveshje paqeje brenda 50 ditësh.

Deklaratat e forta të Trump u bënë gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Ai konfirmoi se do të dërgohen sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot, shumë të kërkuara nga Ukraina, të cilat do të sigurohen nga vende të tjera anëtare të NATO-s që do i zëvendësojnë ato me armë të reja amerikane.

Trump theksoi se nëse nuk arrihet një marrëveshje me Rusinë brenda 50 ditësh, SHBA do të vendosë takse 100% mbi mallrat ruse, si dhe sanksione dytësore ndaj vendeve që i blejnë naftën, duke përfshirë potencialisht edhe vende si Kina apo India.

Kjo do të ishte një kthesë e madhe në politikën perëndimore të sanksioneve, që deri më tani nuk kanë goditur drejtpërdrejt tregjet globale të energjisë.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump po merr mbështetje nga të dyja krahët politikë në Senat, ku 85 senatorë mbështesin një projektligj që i jep presidentit autoritetin për të vendosur takse deri në 500% ndaj çdo shteti që ndihmon Rusinë.

Në Kiev, lajmi është pritur me përzierje shprese dhe skepticizmi. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilloi një takim me të dërguarin e Trump, gjeneralin Keith Kellogg, ku diskutuan rrugën drejt paqes, përforcimin e mbrojtjes ajrore dhe bashkëpunimin në prodhimin e armëve me Europën.

Ndërkohë, menjëherë pas takimit, në Kiev u shpall alarm ajror pas një tjetër sulmi rus me dronë.

Trump deklaroi se vendimi i tij erdhi pas zhgënjimit të thellë ndaj Putin, i cili vazhdon të godasë qytetet ukrainase ndërkohë që flet për paqe. “E kemi pasur marrëveshjen gati katër herë, por çdo herë që afroheshim, vinin bombat dhe gjithçka prishej,” tha ai.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit