Nuk mjaftoi ndotja dhe mungesa e ujit, elbasanasit po përballen me një tjetër problem serioz

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14.07.2025, 21:08

Një tjetër problem serioz që rëndon jetën e përditshme të qytetarëve vjen këtë herë nga Elbasani. Pas mungesës së ujit të pijshëm dhe ndotjes së ajrit, ky qytet po përballet edhe me një situatë të papranueshme me transportin publik.

Një qytetar shprehet për JOQ Albania se autobusët urbanë kalojnë vetëm një herë në orë, duke i detyruar qytetarët që çdo ditë të presin me orë të tëra në stacione, në diell apo shi, për të shkuar në punë apo për të kryer nevoja të tjera të tyre.

“Çdo ditë e njëjta situatë, presim më shumë se një orë për të kapur një autobus. Oraret janë të vjetra, që kur punonte linja e Krivës para 10 vitesh. Sot, Elbasani ka vetëm 3 autobusë që qarkullojnë në gjithë qytetin, ndërkohë që të moshuarit dhe të sëmurët qëndrojnë në këmbë për orë të tëra nën diell”, shprehet qytetari i revoltuar.

Ai apelon për vendosjen e tabelave të reja me orare të qarta dhe për shtimin e mjeteve të transportit, të paktën çdo 30 minuta, për të garantuar një shërbim minimal për qytetarët.

Elbasani duket se ka mbetur peng i neglizhencës, ku mungesa e organizimit dhe vëmendjes ndaj qytetarëve po i bën më të vështira kushtet e jetesës.

Redaksia jonë i bashkohet thirrjes së qytetarëve të Elbasanit që kërkojnë një shërbim dinjitoz e të organizuar të transportit publik, ashtu siç e meritojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit