Albascani përfiton tenderin nga SPAK-u, pavarësisht dështimeve në burgje

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 14.07.2025, 20:43

Skandali me vrasjen në burgun e Peqinit nuk e pengoi kompaninë Albascan të përfitojë një kontratë 700 mijë euro nga vetë SPAK-u, për sigurinë e institucioneve të drejtësisë.

Kompania “Albascan”, e përfshirë në një skandal të rëndë sigurie në burgun e Peqinit, është shpallur fituese e një tenderi mbi 700 mijë euro të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), për furnizimin me pajisje të kontrollit dhe sigurisë. Kjo ndodh vetëm pak vite pasi në një nga ambientet që ajo mirëmbante ndodhi një nga ngjarjet më tronditëse në sistemin penitenciar shqiptar.

Në dhjetor të vitit 2023, i burgosuri përjetë Sokol Mjaca vrau me armë brenda qelisë një tjetër të dënuar, Arben Lleshin, ngjarje që zbuloi dështimin e sistemit të sigurisë në burgun e Peqinit. Pistoleta me të cilën u krye krimi kaloi pa u diktuar nga sistemet e skanimit të kontrolluara nga Albascani. Edhe pse disa punonjës u dënuan për shpërdorim detyre, nuk u sqarua asnjëherë se si arma u fut brenda burgut të sigurisë së lartë.

Pavarësisht këtij dështimi, në fund të vitit 2024, vetë SPAK-u vendosi t’i besojë “Albascanit” një kontratë të ndarë në tre lote për furnizimin me skanera për automjete, zarfa dhe bagazhe, si dhe pajisje karikimi. Sipas të dhënave nga Thesari i Shtetit, janë paguar deri tani mbi 79 milionë lekë të reja, që përkon me të gjithë fondin e tenderit.

Dokumenti që shpall fitues Albascanin, burimi: SPAK-u.

Kjo kontratë vjen në një kohë kur kompania, e drejtuar nga vëllezërit Elton dhe Elision Jorgjis, ka qenë objekt kritikash të shumta. Ajo është përshkruar në media si një “përbindësh i fondeve publike” që u ngrit në mënyrë të përshpejtuar përmes tenderëve shtetërorë. Në vitin 2017, Albascan raportonte një xhiro vjetore prej vetëm 50 mijë eurosh, ndërsa aktualisht përfiton mbi 1.8 milionë euro në muaj nga kontratat me shtetin.

Transformimi i shpejtë i kompanisë nisi pas blerjes nga dy vëllezërit Jorgjis për një shumë simbolike prej 150 mijë lekësh në janar 2019. Brenda një viti, të ardhurat e saj u rritën nga 19 milionë në 110 milionë lekë. Kjo rritje vazhdoi pa ndërprerje, duke e kthyer kompaninë në një aktor të madh në sektorin e pajisjeve të sigurisë dhe teknologjisë në vend.

Një nga faktorët që ndihmoi Albascan ishte bashkëpunimi me kompaninë Advanced Business Solutions, në pronësi të Gerond Meçes. Së bashku, të dyja kompanitë kanë fituar tenderë të majmë, si ai për 6 milionë euro për sistemet e sigurisë në burgje dhe 16 milionë euro për laboratorët smart në shkolla. Kjo kompani është përmendur disa herë nga opozita si e lidhur me eksponentë të lartë të qeverisë.

Nëse institucionet shtetërore dhe drejtësia vijojnë të nënshkruajnë kontrata me kompani që dështojnë në garantimin e sigurisë, çmimin e paguajnë të tjerët. Në këtë rast, u ndëshkuan punonjësit e thjeshtë të burgut, ndërsa paratë publike vijojnë të derdhen në duart e atyre që ofrojnë sisteme që nuk funksionojnë. Dhe në fund, fatura e gjithë kësaj bie mbi qytetarët, ndërsa përfituesit përshëndesin kontratat nga plazhet e Qipros turke.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit