Në Tiranë, parkimet private po pushtojnë sheshet mes pallateve, ndërsa Rama e Veliaj mbyllnin sytë përballë shkeljeve flagrante dhe favorizojnë abuzimin me pronën publike
Në mes të një nisme për "pastrimin e territorit", një aksion i fundit i Inspektoratit Ndërtimor prishi një parkim privat në rrugën “Sami Frashëri”, pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, por ndërhyrja vjen shumë vonë dhe flet më shumë për një alibi politike sesa për ndreqje reale. Kjo hapësirë ishte kthyer në një zonë konflikti mes banorëve dhe një personi që pretendonte pronësinë mbi tokën.
Që në prill 2024, dhjetëra familje i kishin dërguar një peticion kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të atëhershëm Erion Veliaj, duke kërkuar ndërhyrje për heqjen e këtij parkimi të paligjshëm që u bllokonte lëvizjen dhe rrezikonte jetën në raste emergjente. Për një vit, institucionet që duhej të reagonin, heshtën. Ankesa shkoi deri në Prokurori, por pa asnjë rezultat konkret.
Pavarësisht se pronari pretendonte se kishte dokumentacion të rregullt, prishja me fadromë konfirmon të kundërtën: parkimi nuk përmbushte as kriteret ligjore dhe as ato praktike. Situata e krijuar nuk është rastësore, por rezultat i një mungese të thellë vullneti nga ana e institucioneve. Heshtja e bashkisë dhe e inspektorëve flet për një tolerim të qëllimshëm që ka lejuar abuzime me hapësirat publike.
Banorët që jetojnë përreth, të kontaktuar nga media, e quajtën lirimin e hapësirës një “fitore të vogël”, por dyshimet janë të mëdha: çdo hapësirë e liruar mund të kthehet nesër në kantier ndërtimi, me leje të reja të dyshimta që do të betonizojnë edhe atë pak ajër që u ka mbetur lagjeve të vjetra.
Ky rast nuk është unik. Në lagjen përreth shkollës “Pjetër Budi”, pas Gjykatës Civile, një tjetër parkim privat funksionon prej vitesh në sheshin mes dy pallateve. Me tra, kabinë pagese dhe infrastrukturë të ngritur, aktiviteti zhvillohet në një hapësirë që duhet të ishte për banorët. Asnjë sqarim nuk është dhënë se si është legalizuar një biznes në një zonë që dikur shërbente për fëmijë e të moshuar.
Në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”, vetëm pak metra larg Prokurorisë së Tiranës, ndodhet një tjetër rast i ngjashëm. Parkimi përdoret nga qytetarë që vizitojnë institucionet e drejtësisë, por në të vërtetë ka zaptuar një pjesë të madhe të hapësirës së përbashkët të banorëve. Pranë tij, afër shkollës “Harry Fultz”, situata përsëritet: hapësira mes dy pallateve të vjetra është kthyer në parking të paguar, ndërkohë që zhurmat dhe ndotja shqetësojnë përditë banorët.
Në të gjitha rastet, përfaqësuesit e parkimeve nxjerrin “letrat” e tyre, të firmosura nga bashkia. Pra, në vend që të mbrojnë komunitetin, autoritetet kanë ndihmuar në grabitjen e të vetmit vend të lirë mes betonit.
Vetëm këtë të diel, Policia njoftoi ndërhyrjen në një tjetër parkim privat në zonën e Komunës së Parisit, pranë qendrës “Kristal”. Edhe ky operacion ndodhi vetëm pasi situata ishte bërë publike. Ky veprim tregon qartë se ndërhyrja shtetërore nuk bazohet në parime, por në presion publik.
Fakti që këto parkime kanë funksionuar për vite pa pengesë, tregon qartë se nuk ka të bëjë vetëm me subjektet private. Nëse ligji do të ishte i barabartë, krahas shembjes me fadromë, duhej të kishim arrestime të inspektorëve që kanë firmosur licencat dhe shefave të tyre që kanë heshtur.
Tirana është bërë viktimë e një sistemi ku lejet jepen për interesa të ngushta klienteliste. Parkimet private nuk janë më veçse simptoma të një plage më të madhe: një bashki që ka shndërruar çdo metër katror publik në burim fitimi për klientët e saj dhe një qeveri që bën spektakël me fadroma, ndërsa problemet rrënjësore mbeten të pandryshuara.