Me gjithë investimin prej 9 milionë eurosh, pacientët e vegjël në QSUT mbeten pa ajër të kondicionuar në dhomat ku trajtohen.
Në ditë me temperatura përvëluese, pamja e një babai që mbante në njërën dorë fëmijën e sëmurë dhe në tjetrën ventilatorin në dalje të Pediatrisë së QSUT-së, flet vetë për gjendjen e mjerueshme që mbizotëron në spitalin që u trumbetua si model modern shëndetësor. Edhe pse godina është e re dhe investimi kap vlerën e 9 milionë eurove, dhomat e pacientëve nuk kanë sistem funksional kondicionimi, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e fëmijëve të shtruar.
Në vizitën e tij të bujshme më 21 shkurt 2025, kryeministri Edi Rama deklaroi se “Godina e Specialiteteve” do të përmirësonte ndjeshëm trajtimin për mijëra pacientë në vit. Ai përmendi repartet moderne si ai i Dializës Pediatrike, Kirurgjisë Infantile apo Laboratori i Biologjisë Molekulare. Sipas tij, investimi synonte kushte bashkëkohore dhe shërbim cilësor për fëmijët.
Por vetëm pesë muaj pas kësaj deklarate, realiteti në pavionet e Spitalit Pediatrik tregon tjetër histori. Një vëzhgim në terren evidenton se në dhomat e shtrimit sistemi i kondicionimit është inekzistent. Familjarët detyrohen të sjellin ventilatorë nga shtëpia, ndërsa fëmijët e sëmurë nxirren në korridore për të marrë pak ajër më të freskët.
Në disa pavione si Nefrodializa apo Neuro-Gastro-Endokrino, sistemi i kondicionimit jo vetëm që nuk funksionon, por as nuk vihet në punë, sipas stafit që pranon se rrjeti elektrik është i mbingarkuar. Kjo ndodh ndonëse godinat janë të reja dhe u reklamuan si pjesë e “rilindjes” së QSUT-së që u premtua që prej vitit 2013.
Në pavionet e konsultave situata paraqitet më mirë, me kondicionerë që punojnë në zyrat e mjekëve, por problemet rikthehen në katet e sipërme. Ndërkohë, në godinën e Pediatrisë së Përgjithshme, ku ndodhen pavionet e Infektivit dhe Kardiologjisë, nuk ka aspak sistem kondicionimi.
Ndërtimi i objektit të ri nisi në vitin 2020 dhe sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ai u projektua për të ofruar trajtim për rreth 130 mijë pacientë në vit. Ish-ministrja Ogerta Manastirliu pati deklaruar në atë kohë se do të instalohej pajisje moderne për të garantuar cilësi në shërbim dhe standarde të larta për mjekët dhe pacientët.
Por fakti që ende pa u mbushur një vit nga përurimi, dhomat e fëmijëve nuk kanë klimë, flet qartë për një tender që jo vetëm nuk përmbushi kriteret praktike, por la hapësirë të madhe për abuzim. Pavarësisht fondeve të mëdha, ka mungesë transparence mbi shpenzimet, ndërsa mungesa e funksionalitetit bazik si ajri i kondicionuar ngre dyshime serioze për cilësinë e punimeve.
Edhe premtimet për investime të reja në strukturën e Pediatrisë Infektive nuk ngushëllojnë familjarët që përballen çdo ditë me mungesën e kushteve bazë. Në realitet, ajo që është quajtur “standard europian” në propagandë, për fëmijët shqiptarë mbetet një sfidë për mbijetesë në vapë përvëluese.
Mediat kërkojnë një qëndrim nga drejtuesit e QSUT-së për situatën me sistemin e kondicionimit, por deri më tani nuk ka ardhur asnjë përgjigje. Kjo heshtje vetëm sa e thellon bindjen se investimi milionësh është bërë më shumë për fasadë sesa për të përmirësuar realisht shërbimin për më të vegjlit.