Shqipëria po përjeton një krizë demografike të pashembullt në historinë e saj moderne. Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se vendi ynë ka pësuar rënien më të madhe të popullsisë në Europë gjatë dhjetë viteve të fundit, duke humbur mbi 500 mijë banorë që nga viti 2011.
Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, të përpunuara nga raportime të ndryshme, popullsia aktuale e Shqipërisë është vetëm 2.36 milionë banorë, një shifër që tregon qartë se vendi po përjeton një zbrazje masive.
Rënia e ndjeshme e popullsisë vjen si pasojë e dy faktorëve kryesorë:
* Rënia e shtesës natyrore, pra më pak lindje sesa vdekje. Në vitin 2024, rritja natyrore e popullsisë ishte vetëm 1.200 persona, një shifër tepër e ulët krahasuar me më shumë se 60 mijë lindje në vit që kishim në fillim të viteve '90.
* Emigracioni, që vazhdon të jetë faktori dominues. Që nga viti 2016 ka nisur një valë e re largimesh, kryesisht e të rinjve dhe familjeve të reja. Vetëm në vitin 2024, 28.800 persona më shumë janë larguar sesa janë kthyer, një nga shifrat më të larta në Europë.
Shqipëria po plaket me shpejtësi
Kjo valë masive emigrimi ka bërë që mosha mesatare në vend të rritet ndjeshëm. Nga 31.9 vjeç në vitin 2010, sot mosha mediane ka shkuar në 44.3 vjeç, duke iu afruar mesatares së Bashkimit Europian. Do të thotë që gjysma e shqiptarëve sot janë mbi 44 vjeç, dhe kjo për një vend që dikur njihej për popullsi të re e dinamike.
Pasojat e rënies së popullsisë janë të rënda dhe po ndihen në mënyrë konkrete në të gjitha fushat. Tregu i punës po tkurret, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për bizneset të gjejnë punonjës. Pagat janë rritur në mënyrë artificiale, jo për shkak të produktivitetit, por për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Edhe konsumi është në rënie, pasi ka më pak banorë që shpenzojnë, ndërkohë që skema e pensioneve po vihet në rrezik, me gjithnjë e më pak kontribuues që mbajnë një numër gjithnjë e më të madh të moshuarish. Në tërësi, kjo situatë po e bën rritjen ekonomike të vendit gjithnjë e më të pasigurt dhe jo të qëndrueshme.
Ndërkohë që vendi po përballet me këtë krizë të heshtur, autoritetet shtetërore nuk po e trajtojnë si përparësi, duke mos ofruar ende një strategji të qartë për të frenuar zbrazjen e vendit dhe për të rikthyer shpresën tek qytetarët.
Shqipëria, e para në listën e rënies së popullsisë në Europë
Shqipëria ka përjetuar rënie më të madhe të popullsisë në gjithë kontinentin, me një ulje prej 18.2% brenda një dekade. Në vend të dytë renditet Bullgaria (-12.3%), e ndjekur nga Maqedonia e Veriut (-11.4%), Bosnjë-Hercegovina (-11.2%) dhe Kroacia (-9.7%). Ndërkohë, Mali i Zi ka arritur të ruajë stabilitetin demografik me një rritje të vogël prej 0.6%.
Vendet e Europës Perëndimore kanë ndjekur politika të forta migracioni për të përballuar plakjen, duke rritur popullsinë. Gjermania ka rritur popullsinë me 4%, Spanja me 4.5%, ndërsa Italia ka pësuar vetëm një rënie të lehtë me -1.8%.