Tenderi për burgun e Kukësit jo vetëm që binte ndesh me kriteret praktike, por linte hapur edhe mundësi të qarta për abuzim dhe manipulim të procedurës.
Vetëm dy muaj pas shpalljes fitues të firmës “Salillari” në tenderin për ndërtimin e burgut të ri në Kukës, me vlerë 5.3 milionë euro, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vendosi ta anulonte befas procesin. Kjo lëvizje ka hapur një sërë dyshimesh serioze mbi ligjshmërinë dhe transparencën e gjithë procedurës.
Më 12 maj 2025, vetëm një ditë pas zgjedhjeve parlamentare, drejtori i atëhershëm i burgjeve Klevis Qose shpalli “Salillarin” si fituese të tenderit për “projektimin dhe ndërtimin e IEVP Kukës”. Ajo që ngre më shumë dyshime është fakti se kompania ofroi një shumë që përkonte me 99.9% të fondit limit të përcaktuar – një praktikë që përdoret shpesh kur një tender është i paracaktuar.
Në dokumentet zyrtare shkruhej se vetëm firma “Salillari” kishte marrë pjesë, ndërkohë që konkurrentët e tjerë ishin skualifikuar, sepse nuk plotësonin kriteret. Pikërisht këto kritere, sipas ekspertëve, janë hartuar në mënyrë të tillë që t’i përshtateshin vetëm kësaj kompanie, duke përjashtuar çdo konkurrencë reale.
Më tej, në njoftimin zyrtar të fituesit theksohej se “Salillari” duhej të dorëzonte brenda 5 ditëve sigurimin e kontratës, përndryshe kontrata do t’i kalonte ofertuesit të dytë. Por, nuk kishte asnjë ofertues tjetër! Ky formulim absurd hedh dritë mbi mënyrën e hartimit të dokumenteve dhe qëllimin e vërtetë të tenderit.
Më 14 korrik 2025, dy muaj pas njoftimit të fitores, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi anulimin e tenderit, duke pretenduar se “asnjë ofertë nuk përputhej me kriteret e përcaktuara në dokumentacion”. Por si mund të shpallësh fitues një subjekt, e më pas të thuash që nuk përputhej me kriteret?
Nëse firma “Salillari” kishte paraqitur dokumente të rreme ose kishte mashtruar për kapacitetet e saj teknike e financiare, përse nuk u referua rasti në prokurori? Përse u hesht mbi këtë skandal dhe pse mungojnë detajet zyrtare mbi vendimin e anulimit?
Rasti tregon qartë se tenderi jo vetëm që nuk i përgjigjej nevojave reale për ndërtimin e një burgu të ri, por ishte krijuar për të favorizuar një firmë të caktuar. Për më tepër, krijonte një terren të përkryer për abuzim me fondet publike dhe përjashtim të konkurrencës së ndershme.
Të dhënat e deritanishme sugjerojnë se dokumentet standarde, kriteret e përzgjedhjes dhe vetë procedura janë ndërtuar për të orientuar tenderin drejt një fituesi të paracaktuar. Ky është një shembull klasik i mënyrës se si tenderët publikë në Shqipëri përdoren si mjet për përfitime të ngushta klienteliste.
Një hetim i thelluar është mëse i nevojshëm. Prokuroria duhet të ndërhyjë dhe të zbulojë nëse pas këtij tenderi fshihet një manipulim i qëllimshëm. Dokumentet janë publike dhe verifikimi është lehtësisht i realizueshëm.
Skandali tregon edhe një herë nevojën urgjente për reformim të thellë në proceset e prokurimeve publike. Përndryshe, praktika të tilla do të vazhdojnë të konsumojnë miliona euro pa asnjë përfitim për qytetarët dhe shoqërinë.