Në një kohë kur vështirësitë ekonomike po rëndojnë shumë familje shqiptare, një qytetar nga Vlora ka vendosur të bëjë një gjest bujar që meriton të duartrokitet.
Ai ka kontaktuar redaksinë e JOQ Albania dhe ka shprehur dëshirën për të dhuruar 4 çanta të mëdha me rroba për vajza të vogla, nga mosha 0 deri në 2 vjeç, për një familje që ndodhet në vështirësi ekonomike.
Qytetari i cili kërkon të mbetet anonim, është i gatshëm të ofrojë ndihmën e tij pa asnjë interes, vetëm për të lehtësuar sado pak jetën e dikujt që ka nevojë.
“Nëse ka ndonjë familje që ka nevojë, jam gati t’i dhuroj rrobat. Ju lutem ruani anonimatin tim”, shkruan ai.
Redaksia jonë do të bëjë të mundur lidhjen e drejtpërdrejtë të qytetarit me ndonjë familje në nevojë që na kontakton, në mënyrë që ndihma të shkojë aty ku duhet.
Nëse jeni ose njihni ndonjë familje që mund të përfitojë nga ky gjest bamirësie, jeni të lutur të na kontaktoni në redaksinë tonë.