Banorët e lagjes Çole në Vlorë ankohen se për vite me radhë jetojnë mes fekalesh, aromave të rënda dhe rrezikut për jetën e fëmijëve
Prej më shumë se tre vitesh, banorët e lagjes Çole, në rajonin 4 të Vlorës, përballen me një problem të vazhdueshëm që duket se askush nuk po e zgjidh. Ujërat e zeza shkarkohen në mënyrë të pakontrolluar në bodrumet e pallateve parafabrikat, duke sjellë pasoja të rënda në jetën dhe shëndetin e komunitetit.
Sipas një denoncimi të bërë nga vetë banorët, situata është aq e rëndë sa aroma e fekaleve është bërë e padurueshme dhe ka shkaktuar sëmundje të ndryshme. Ata theksojnë se mushkonjat janë shumuar në mënyrë alarmante, duke rrezikuar sidomos shëndetin e fëmijëve.
Për më tepër, dritaret e dëmtuara në bodrumet e pallateve paraqesin rrezik për fëmijët që luajnë pranë tyre. Banorët ngrenë shqetësimin se dikush mund të bjerë nga lartësia ose të lëndohet nga strukturat e amortizuara.
Një pjesë e banorëve thonë se kanë denoncuar situatën edhe më herët, madje tre vite më parë iu drejtuan edhe mediave për ndihmë. Ndërhyrja atëherë ishte thjesht sipërfaqësore dhe nuk solli zgjidhje afatgjatë. Problemi është rikthyer dhe në fakt, as që është zgjidhur ndonjëherë realisht.
“Përshëndetje Joq! Ne lagjen Çole, rajoni 4, tek posta e Çoles, Vlorë, kemi me vite këtë problem. Shkarkojnë ujërat e zeza poshtë në bodrumet e pallateve parafabrikat 5-katëshe dhe era e fekaleve, mbeturinave dhe dritaret që rrezikojnë jetën e fëmijëve kur lozin, dhe mushkonja të shumta. Jam ankuar dhe para 3 vjetëve tek ju, por kanë bërë sikur e kanë pastruar, por prapë kjo situatë është. Po sëmuremi nga aroma e keqe. Po ju shkruajmë si banorë të pallatit. Faleminderit Joq për publikimin dhe ishalla kujtohet Bashkia Vlorë”, shprehet një banore e pallatit.
Në fund të denoncimit të tyre, banorët i bëjnë thirrje Bashkisë Vlorë që të marrë masa konkrete dhe të mos e injorojë më këtë çështje që po përkeqëson cilësinë e jetës në këtë lagje.
Ata falënderojnë JOQ për publikimin dhe shpresojnë që përmes zërit të qytetarëve, institucionet të reagojnë më në fund ndaj një situate që nuk mund të tolerohet më.