Skemë kriminale në fondin shëndetësor shqiptar, ja si farmacitë përfitonin rimbursime për barna që nuk u shitën kurrë

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 14.07.2025, 19:44

Një hetim i Chiesi zbulon rimbursime fiktive në miliona euro për barna që kurrë nuk janë shitur në Shqipëri

Një hetim i nisur rastësisht nga kompania italiane farmaceutike Chiesi zbuloi një skandal të madh mashtrimi me barnat e rimbursueshme në Shqipëri. Pas shqyrtimit të të dhënave të tregut shqiptar, drejtuesit e kompanisë mbetën të tronditur nga shifrat e rimbursimeve, të cilat nuk përputheshin me sasinë e ilaçeve që kishin eksportuar në vendin tonë.

Bëhet fjalë për dy barna specifike për trajtimin e astmës, Foster dhe Trimbow, që shpërndahen ekskluzivisht në tregun shqiptar nga Chiesi. Megjithatë, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) kishte rimbursuar dhjetëra mijëra kuti më shumë se sa ishin shpërndarë realisht nga kompania italiane.

Pasi u përballën me këtë anomali, përfaqësuesit e Chiesi nisën një hetim të thelluar për të kuptuar shkakun. Çfarë zbuluan ishte një skemë e gjerë mashtrimi që përfshinte disa kompani farmaceutike shqiptare dhe struktura shtetërore. Në qendër të skemës qëndronte CFO Pharma dhe dy kompanitë e lidhura me të, Pharma Plus dhe Medyx Albania, si dhe dy farmaci të njohura: Bioplus dhe Medigreen.

Këto kompani kishin regjistruar në mënyrë fiktive mijëra kuti barnash në inventaret e tyre, pa i blerë realisht. Më pas, këto sasi fiktive u "shiten" fiktivisht te CFO Pharma dhe, në një hap të mëvonshëm, te farmacitë Bioplus dhe Medigreen, të cilat më pas aplikuan për rimbursime pranë FSDKSH.

Personazhi kryesor që lidh disa nga këto kompani është Gazmend Aliaj, ish-kontrollor në FSDKSH, i arrestuar më parë për mashtrime të ngjashme. Farmacitë në pronësi të tij apo familjarëve të tij rezultojnë të kenë përfituar mijëra euro në mënyrë të paligjshme përmes kësaj skeme.

Dokumentet e siguruara tregojnë se Pharma Plus, një kompani e themeluar nga Agron Shehaj, ka ndryshuar disa herë pronar, por në thelb ka mbetur nën kontrollin e CFO Pharma dhe Nadir Çaushollit. E njëjta lidhje ekziston edhe për Medyx Albania, kompani me origjinë nga një shtetas serb, që më pas i kaloi një tjetër shtetasi serb dhe që operon nga e njëjta adresë me CFO Pharma.

Dy kompanitë, Pharma Plus dhe Medyx Albania, deklaruan në total mbi 19 mijë kuti barnash Foster dhe Trimbow pa i blerë kurrë. Farmacitë Bioplus dhe Medigreen përfituan nga këto deklarime të rreme, duke u rimbursuar nga shteti për mallra që nuk ekzistonin.

Në këtë skemë, roli i FSDKSH është vendimtar. Fondi ka miratuar inventaret e rreme, duke ngritur dyshime të forta për përfshirjen direkte të zyrtarëve të lartë të institucionit. Lëvizjet e fundit në strukturat e Fondit, pas shpërthimit të skandalit, nuk janë të mjaftueshme për të rikthyer besimin publik.

Ky mashtrim i përmasave të mëdha duket se është një nga arsyet pse kryeministri Edi Rama ka nisur të flasë për përfshirjen e qeverisë në importin e barnave. Por shumë analistë e shohin këtë si një tjetër manovër politike për të fshehur skandalet që po tronditin sistemin shëndetësor.

Skema që u zbulua nga Chiesi nuk është e vetmja. Ajo përfaqëson vetëm majën e ajsbergut të një mekanizmi të thellë korrupsioni, që duket se mbështetet nga disa struktura shtetërore, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë dhe administratën tatimore.

Të dhënat tregojnë qartë se miliona euro nga fondet publike janë vjedhur përmes dokumenteve të falsifikuara dhe deklarimeve të rreme. Ky rast pritet të çojë në hetime dhe arrestime në nivelet më të larta të sistemit shëndetësor dhe administratës shqiptare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit