Pas një viti nga bllokimi i pasurive, Arbër Muçës i sekuestrohet edhe një “Lamborghini Urus Mansory” të ardhur nga Dubai nëpërmjet personave të tretë.
Një vit pas sekuestrimit të pasurive të tij me vlerë mbi 1.8 milionë euro, Arbër Muçës, 37-vjeçarit nga qyteti i Fierit, i është vendosur nën sekuestro edhe një automjet luksoz “Lamborghini Urus Mansory”. Automjeti rezulton të jetë sjellë në Shqipëri nga Dubai dhe është modifikuar posaçërisht nga kompania e njohur Mansory.
Vendimi për bllokimin e këtij mjeti luksoz është marrë nga Prokuroria e Fierit më 10 korrik 2025. Ky është një tjetër episod në hetimet e gjata ndaj Muçës, i cili është i skeduar nga autoritetet shqiptare për dyshime të forta lidhur me aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka njoftuar se automjeti i sekuestruar lidhet me procedimin penal nr.1162 të nisur që në tetor të vitit 2020. Çështja ka të bëjë me veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuar në nenin 287 të Kodit Penal.
Sekuestrimi më i fundit është pjesë e procedimit pasuror nr.3 i vitit 2024, që zhvillohet në bazë të ligjit nr.10192, datë 03.12.2009, për luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese mbi pasuritë. Ky ligj i jep autoriteteve mundësinë të godasin pasuritë që dyshohet të jenë përfituar në mënyrë të paligjshme.
Autoritetet deklarojnë se ky automjet është futur në territorin shqiptar në mënyrë të kamufluar, përmes ndërmjetësimit të personave të tretë, me qëllim shmangien e kontrollit dhe hetimeve. Ai u identifikua dhe sekuestrua në vazhdën e masave të mëparshme ndaj Muçës, të cilit një vit më parë iu konfiskuan bizhuteri, para cash dhe prona të tjera me vlerë rreth 2 milionë euro.
Prokuroria ka nënvizuar se hetimet do të vazhdojnë me intensitet të lartë për të zbardhur rrjetin e plotë të përfshirjes dhe për të finalizuar konfiskimin përfundimtar të pasurive të dyshuara si të paligjshme. Në fokus janë grupet kriminale që kanë përfituar përmes veprimtarive të paligjshme dhe që kanë përfituar pasuri luksoze brenda dhe jashtë vendit.