Një tërmet i fortë me magnitudë 5.4 ka goditur mëngjesin e sotëm jugun e Spanjës, duke shkaktuar shembjen e pjesës së çatisë në zonën e nisjeve të Aeroportit të Almerías.
Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar, por zona ku ndodhi incidenti është rrethuar menjëherë për siguri. Pamjet tregojnë se çatia në një kafene brenda aeroportit është rrëzuar rreth një orë pas tërmetit, që u ndje për herë të parë në orën 07:14.
Një punonjës i aeroportit tha për mediat lokale:
"Dëgjuam disa zhurma njëra pas tjetrës dhe më pas një bum i madh, me një re të madhe pluhuri. Ishte një moment frike për të gjithë. Fatmirësisht, askush nuk u plagos, megjithëse disa punonjës po pinin kafen e parë të ditës."
Autoriteti spanjoll i aeroporteve, AENA, bëri me dije se kafeneja ishte mbyllur paraprakisht si masë paraprake dhe dëmtimi ndodhi pas lëkundjeve fillestare.
Epiqendra e tërmetit u regjistrua rreth 32 kilometra larg qytetit Nijar në provincën e Almerías. Lëkundjet u ndjenë në qindra qytete dhe fshatra në shtatë provinca të rajonit Andaluzia dhe Levante.
Përveç aeroportit, është raportuar edhe për dëmtime në çatinë e një salloni makinash Toyota në afërsi të Almerías.
Eksperti i tërmeteve, Javier Fernandez Fraile, paralajmëroi se nëse tërmeti do të kishte ndodhur më afër qyteteve të mëdha dhe më sipërfaqësor, dëmet do të kishin qenë shumë më të mëdha.
Ky tërmet vjen pas një fundjave me reshje ekstreme dhe stuhi në Barcelonë dhe zonat turistike përreth, ku rrugët u kthyen në lumenj dhe uji përmbyti restorante e dyqane.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të madh dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme në 10 rajone në veri dhe lindje të vendit.
Në vitin 2011, një tërmet tjetër në jug të Spanjës, në Murcía, i mori jetën nëntë personave.
