Gazmir Preçi dënohet me 2 vite e 4 muaj burg pasi u kap duke marrë 10 mijë euro për të mos kryer kontrolle ndaj një biznesi në Durrës.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 2 vite e 4 muaj burg ish-shefin e Antidrogës në Durrës, Gazmir Preçin. Përveç burgimit, ai është skualifikuar nga ushtrimi i funksioneve publike për një periudhë pesëvjeçare.
Preçi u arrestua më 15 gusht 2024, pas hetimeve që zbuluan përfshirjen e tij në një rast gjobëvënieje ndaj pronarit të një lokali nate pranë Urës së Dajlanit. Sipas SPAK-ut, ai kishte kërkuar 20 mijë euro për të mos ushtruar kontrolle policore në lokalin me muzikë live, por kishte arritur të merrte 10 mijë euro në një takim të parë.
Hetimi i kryer nga SPAK-u dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dokumentoi gjithçka në mënyrë të detajuar. Paratë ishin të regjistruara me numër serial dhe momenti i marrjes së ryshfetit është filmuar dhe regjistruar me audio.
Ky nuk është rasti i vetëm ku emri i Preçit është lidhur me veprimtari të paligjshme. Në vitin 2021, kur ai mbante postin e shefit të krimeve në Mallakastër, është hetuar për lejimin e kultivimit të kanabisit pranë urës së Vjosës, në zonën e Poçemit.
Rasti i fundit vetëm sa përforcon dyshimet për implikimin e tij të vazhdueshëm në aktivitete kriminale, duke hedhur hije të rënda mbi besueshmërinë e strukturave të rendit. Në këtë rast, drejtësia ka ndërhyrë, por mbetet e paqartë se sa raste të tjera të ngjashme janë lënë në heshtje ndër vite.
Ky vendim i GJKKO-së vjen në një kohë kur opinioni publik ka humbur besimin te integriteti i strukturave ligjzbatuese, duke kërkuar ndëshkim shembullor për zyrtarët e korruptuar dhe transparencë të plotë nga institucionet.