Peshq të ngordhur nga dinamiti, mungesë koshash mbeturinash dhe mungesë uji të pijshëm në fshatin Prush vetëm pak kilometra nga qendra e kryeqytetit
Në fshatin Prush të Tiranës, vetëm katër kilometra larg qendrës së qytetit, po ndodh një degradim i plotë mjedisor që tregon qartësisht për papërgjegjshmërinë e autoriteteve lokale. Liqeni i zonës është kthyer në një hapësirë të helmuar ku peshqit po ngordhin për shkak të përdorimit të dinamitit nga peshkatarë të paligjshëm.
Pamjet dhe denoncimet e banorëve tregojnë për një katastrofë të heshtur që ndodh çdo ditë. Dëmtimi i faunës ujore nuk ka hasur asnjë reagim institucional, duke e lënë këtë pasuri natyrore të shkatërrohet në heshtje.
Përveç kësaj situate alarmante, në të gjithë zonën nuk ekziston asnjë kosh mbeturinash i vendosur nga Bashkia e Tiranës. Mbetjet hidhen në mënyrë të pakontrolluar, duke ndotur më tej ambientin dhe duke sjellë rrezik për shëndetin publik.
"Gjendja e liqenit të Prushit. Peshqit kanë ngordhur sepse kanë hedhur dinamit. Bashkia po nuk kujdeset të vendosë një kosh për të hedhur mbeturinat. Të lutem postoje sepse është turp që fshati Prushit në Tiranë, 4 km nga qendra e Tiranës, nuk ka ujë të pijshëm," tregon denoncuesi në redaksinë e JOQ.
Kjo mungesë totale e infrastrukturës bazë është një tregues i qartë i neglizhencës së qëllimshme. Banorët e Prushit janë të detyruar të jetojnë mes ndotjes, ndërsa institucionet vendore zgjedhin të heshtin përballë këtij realiteti të trishtë.
Problemi nuk ndalet vetëm te liqeni dhe ndotja. Fshati nuk ka as ujë të pijshëm. Në vitin 2025, është e paimagjinueshme që një zonë kaq pranë Tiranës të mos ketë një rrjet furnizimi me ujë të sigurt për konsum njerëzor.
Situata në Prush përbën një skandal të madh mjedisor dhe njerëzor. Kjo është një thirrje urgjente për ndërhyrje, për rikthimin e dinjitetit të një komuniteti të braktisur nga politika dhe administrata.
Nëse autoritetet vazhdojnë të mbyllin sytë përballë kësaj katastrofe, atëherë degradimi do të thellohet edhe më tej, duke kthyer një vend të bukur në një hapësirë të pabanueshme për njerëzit dhe për natyrën.