“Oligarkët shkatërrojnë rrugën e Agallarëve!” Betonieret shtypin asfaltin

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 14.07.2025, 15:27

Vetëm një vit pas inaugurimit me bujë të “Rrugës së Agallarëve” në Farkë, segmenti rrugor që shërben për të lidhur tre fshatra: Lundrën, Farkën e Madhe dhe Farkën e Vogël, është në gjendje të mjerueshme.

Fotot e fundit tregojnë një rrugë të shkatërruar me gropa të mëdha dhe asfalt të zhdukur, që e bëjnë të rrezikshme për kalimtarët dhe drejtuesit e mjeteve.

Kjo rrugë u prezantua me krenari nga kryebashkiaku Erion Veliaj si një investim që i jep fund një pritjeje 30-vjeçare të banorëve të zonës.

“Kemi ardhur me kokën lart,” u shpreh ai gjatë inaugurimit, duke theksuar se rruga ishte vonuar për shkak të tërmetit dhe pandemisë, por më në fund ishte bërë realitet.

Por vetëm një vit më vonë, realiteti është krejt tjetër. Shtresa asfaltike është shembur, ndërtimi duket i paqëndrueshëm dhe qytetarët ndihen të mashtruar që taksat e tyre iu futën në xhep oligarkut të tenderit e ndërkohë të tjerë oligarkë kanë shkatërruar rrugën duke kaluar aty mjetet e tonazhit të rëndë që kanë bërë asfaltin e hollë copash.

“Nga ndërtimet e oligarkëve, shikoni ku jemi katandisur. As një vit nuk i zgjati investimi,” shkruan një banor i zonës për JOQ, duke treguar pamjet e rrugës së dëmtuar.

Ky nuk është rasti i vetëm kur rrugë të inauguruara me ceremoni zyrtare degradojnë brenda pak kohësh. Banorët kërkojnë llogari dhe transparencë për fondet e shpenzuara, ndërkohë që kërkesat për ndërtim cilësor në zonat rurale mbeten të paplotësuara.

Bashkia e Tiranës ende nuk ka reaguar për gjendjen aktuale të “Rrugës së Agallarëve”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit