Derdhjet ndotëse të kroçerës largojnë turistët nga Vlora

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 14.07.2025, 13:31

Derdhjet e një kroçere kanë ndotur rëndë detin në zonën e Lungomares në Vlorë, duke detyruar turistët të largohen në masë dhe duke rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve.

Prej mbrëmjes së djeshme, një kroçere është ankoruar pranë brigjeve të Vlorës, duke shkaktuar derdhje të konsiderueshme ndotjeje në det. Pamjet filmike të publikuara nga qytetarë në Lungomare tregojnë qartë situatën e rëndë që është krijuar në këtë zonë turistike.

Qindra pushues janë larguar nga plazhet e Vlorës për shkak të ndotjes alarmante të ujit, duke e cilësuar situatën si një katastrofë për turizmin dhe sigurinë e shëndetit publik. Ndotja e madhe ka sjellë shqetësime të mëdha te qytetarët dhe turistët, veçanërisht për fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore.

Ironikisht, ndotja është vënë re në të njëjtin vend ku, disa ditë më parë, humbën jetën dy turiste nga Ukraina, duke rritur edhe më shumë ndjeshmërinë e publikut për gjendjen e rëndë në këtë pjesë të bregdetit shqiptar.

"Përshëndetje. Ndodhemi në Lungomare, Vlorë, me pushime. Deti shumë i ndotur nga derdhjet e kroçierës që ka ndaluar që mbrëmë. Me qindra turistë po largohen nga kjo katastrofë. Shikoni videon. Është vendi ku u mbytën dy turistet ukrainase para ca ditësh. Ky ujë po rrezikon shëndetin e njerëzve me sëmundje dhe helmime," shkruan denoncuesi në redaksinë e JOQ.

Qytetarët që kanë denoncuar ngjarjen e shohin këtë si një pasqyrim të mungesës së kontrollit institucional ndaj anijeve që ankohen pranë vijës bregdetare. Ata kërkojnë hetim dhe ndërhyrje të menjëhershme për të ndalur ndotjen dhe për të marrë masa ndëshkuese ndaj përgjegjësve.

Aktualisht, në det janë vërejtur mbetje dhe ndotje e dukshme, duke bërë që shumë pushues të shmangin hyrjen në ujë për shkak të frikës nga infeksionet dhe helmimet. Mjekët kanë paralajmëruar se ekspozimi ndaj këtyre ndotjeve mund të shkaktojë pasoja të rënda shëndetësore.

Banorët dhe turistët i bëjnë thirrje bashkisë së Vlorës dhe autoriteteve të mjedisit që të ndërhyjnë menjëherë për pastrimin e ujërave dhe ndalimin e çfarëdo lloj aktiviteti ndotës në vijën bregdetare, për të ruajtur shëndetin e njerëzve dhe imazhin e qytetit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit