Shqipëria është përballur me një tkurrje dramatike të popullsisë në 13 vitet e fundit, duke humbur mbi 500 mijë banorë nga viti 2011 deri në fund të vitit 2024. Sipas të dhënave të fundit zyrtare, vendi ka sot rreth 2.36 milionë banorë, që përfaqëson një rënie me 18.2% në raport me Censin e mëparshëm. Ky ritëm i rënies është më i larti në Europë, duke e renditur Shqipërinë në krye të listës së vendeve që po zbrazet më shpejt. Pas saj vijnë Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina, të cilat gjithashtu po përballen me reduktime të ndjeshme të popullsisë.
Dy janë arsyet kryesore që qëndrojnë pas kësaj rënie. Së pari, rënia e lindshmërisë dhe plakja natyrore e popullsisë, të cilat janë thelluar veçanërisht pas periudhës së pandemisë. Në vitin 2024, shtesa natyrore ishte thuajse e papërfillshme, me vetëm 1,200 persona më shumë, në kontrast me vitet '90 kur shtesa arrinte në mbi 60 mijë vetë në vit. Së dyti, emigracioni masiv vazhdon të jetë faktori dominues që po boshatis vendin. Vetëm në vitin 2024, bilanci i largimeve rezulton negativ me -28.8 mijë persona, shifër që e rendit Shqipërinë të dytën në Europë pas Turqisë për emigracion neto, pavarësisht se kjo e fundit ka një popullsi gati 40 herë më të madhe.
Pasojat e kësaj situate janë të dukshme edhe në strukturën demografike të vendit. Mosha mediane e popullsisë shqiptare ka arritur në 44.3 vjeç, shumë pranë mesatares së Bashkimit Europian prej 44.7 vitesh. Në vetëm 14 vjet, Shqipëria ka përjetuar një plakje të shpejtë, duke kaluar nga një shoqëri me shumicë të re, në një realitet ku gjysma e popullsisë është mbi moshën 44 vjeç. Ndërkohë që vendet e Europës Perëndimore po kompensojnë rënien natyrore përmes politikave të emigracionit dhe integrimit, Shqipëria po përballet me një krizë të thellë demografike që rrezikon të minojë zhvillimin ekonomik dhe social në dekadat e ardhshme.