Një i ri shqiptar ka zgjedhur t’i drejtohet redaksisë së JOQ për të ndarë një histori të veçantë, e cila i ka mbetur peng prej muajsh. Historia ndodhi më 11 janar, në aeroportin e Krakow në Poloni, gjatë kthimit të tij drejt Tiranës.
Vajza e cila quhej Klea, ishte studente në një program masteri në Krakow, ndërsa familja e saj jetonte në Tiranë.
Kur mbërritën në Tiranë, ai ofroi ta shoqëronte në shtëpi, pasi kishte makinën në aeroport, por ajo i tha se e kishte lajmëruar të atin.
Përshëndetja e fundit mbeti e paharrueshme për të: “A do të shihemi përsëri?” Por që prej asaj nate, ai nuk e pa atë më kurrë...
Tani, pas më shumë se 6 muajsh, ai i lutet Kleas që, nëse e lexon këtë postim, të kontaktojë redaksinë. “E di që është vonë, por më mirë vonë se kurrë. Do t’ju jem falënderues gjithë jetën. Mjafton që ta kuptojë Klea,” – shkruan ai.
DJALI SHKRUAN
"Përshëndetje JOQ!
Do ju kërkoja një nder, sepse nuk kam mundur ta gjej, pasi nuk kam lënë vend pa kërkuar por nuk e kam gjetur, dhe nuk dua të më mbesë pishman.
Është një histori e shkurtër, por e paharrueshme.
Filloi më datë 11 janar, kur unë po kthehesha nga Krakow për në Tiranë. Isha me mamin tim në aeroportin e Krakow-it dhe po shkonim drejt portës 17, ku ishte fluturimi për Tiranë. Por në atë moment, te porta nuk shkruhej “Tiranë”, por “Birmingham”.
I thashë mamit: “Po nuk qenka këtu!” dhe në atë moment, një vajzë e ulur aty pranë na tha: “Këtu është, por do të shfaqet pas këtij fluturimi.”
Që nga ai moment që e pashë, thashë: “Uaa…” — ngela i mahnitur nga mënyra se si ajo qëndronte: nga stili, flokët, veshja, fytyra engjëllore…
U ulëm aty pranë dhe filluam të bënim muhabet, dhe sa më shumë flisnim, aq më shumë më pëlqente ajo vajzë. Si për fat, atë natë avioni u shty me 3 orë, pasi kishte një stuhi dëbore shumë të keqe.
Nuk e ndjeva fare kohën, sepse vetëm qeshnim dhe biseda rridhte natyrshëm… por nuk e di si dreqin nuk munda t’i kërkoja numrin ose ndonjë rrjet tjetër social më mbyllej goja për këtë pjesë.
Vajza në fjalë ishte me studime master në Krakow, në Poloni, dhe quhej Klea. Familja e saj jetonte në Tiranë. Emrin ia mësova në avion, kur po prisnim nisjen, sepse mua më mbaroi interneti dhe ajo më hapi hotspot. Fjalëkalimi ishte klea1234, nëse nuk gaboj. E kuptoni sa i ndrojtur kam qenë për këtë pjesë.
Avioni kishte shumë vende të lira dhe Klea u ul me mamin tim, ndërsa unë u ula në vendin tim dhe isha vetëm. Më pas mendova: “Pse nuk po shkoj tek ajo?” dhe eca drejt saj. Gjithë rrugës jemi shkrirë së qeshuri, dhe kur mbërritëm, i thashë që mund ta çoja unë në shtëpi, pasi kisha lënë makinën në aeroport. Por ajo më tha që e kishte lajmëruar babain dhe po vinte ai ta merrte.
Kur u ndamë, ajo u përshëndet me puthje me mamin tim, ndërsa me mua një përqafim… dhe unë i thashë vetëm: “A do të shihemi përsëri?”
Por që nga ajo natë, e deri më sot, nuk jemi parë më kurrë!
Do të doja që, nëse Klea e sheh këtë postim, të kontaktojë juve dhe ju t’i jepni emrin tim.
Edhe pse kanë kaluar 6 muaj dhe e di që është vonë… por më mirë vonë se kurrë.
Do t’ju jem falënderues gjithë jetën.
Anonim ju lutem, mjafton vetëm Klea ta kuptojë… dhe askush tjetër. 😊🙏"