Valët e të nxehtit në Detin Mesdhe mund t'ju duken të këndshme për të notuar gjatë pushimeve, por kjo e ka një kleçkë problematike... Shkencëtarët po i frikësohen pasojave potencialisht shkatërruese për jetën detare.
Në këtë pjesë hyn edhe Shqipëria... Deti Jon është brenda sistemit më të gjerë të Detit Mesdhe. Joni njihet për ujin e tij blu të thellë dhe për thellësinë e madhe, është në fakt pjesa më e thellë e të gjithë Detit Mesdhe.
Deti Adriatik është një degë veriore e Detit Mesdhe, e shtrirë midis gadishullit Apenin (Italia) dhe gadishullit Ballkanik (kryesisht Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria).
Temperatura e shënuar në Qershor në detin Mesdhe është më e lartë se ajo pishinave, shkruan BBC.
Temperaturat e larta të ujit mund të kenë pasoja të fshehura: Bakteret dhe algat e dëmshme shpesh përhapen më lehtë në ujin e detit të ngrohtë.
“Ajo që është ndryshe këtë vit, është se temperaturat e detit prej 30°C kanë ardhur shumë më herët, dhe kjo do të thotë se vera do të jetë më intensive dhe më e gjatë,” – tha Marta Marcos, profesoreshë e asociuar në Universitetin e Ishujve Balearik në Spanjë.
Deti Mesdhe është veçanërisht i ndjeshëm sepse është si një vaskë, i rrethuar nga kontinente, dhe jo i hapur drejt oqeanit.
Kjo do të thotë se uji nuk qarkullon dhe nuk largohet lehtë, ndaj sipërfaqja e tij nxehet shpejt kur ka ajër të ngrohtë, qiell me diell dhe erëra të lehta siç ndodhi në qershor.
E nxehta gjithashtu mund të shkaktojë atë që ekologët e quajnë “efekte nën-vdekjeprurëse” ku organizmat e detit hyjnë në një gjendje mbijetese dhe nuk shumohen më.