Parkimi në zemër të Bllokut, pronë e të fortëve. Banorët e Tiranës drejt vetëgjygjësisë, situata e padurueshme.

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 13.07.2025, 23:41

Banorët e rrugës “Ismail Qemali” denoncojnë përvetësimin e hapësirës publike për interesa private, ndërsa institucionet heshtin përballë abuzimit të hapur.

Një qytetar ka ngritur një denoncim të fortë mbi një situatë alarmante që po ndodh në një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës – rrugën “Ismail Qemali”, në zemër të Bllokut. Sipas tij, një pronar kantieri po uzurpon hapësirën publike për parkim, duke refuzuar të paguajë vendet e dedikuara përmes bashkisë dhe duke preferuar të “blejë” drejtorë dhe punonjës për të vendosur tabela abuzive.

Sipas këtij denoncimi, është paguar një punonjës i bashkisë që të vendosë tabelën “Ndalim parkimi” vetëm pak metra larg një zone të shënuar si parking me pagesë i licencuar nga vetë bashkia. Ky veprim ka shkaktuar jo vetëm konfuzion, por edhe përplasje të vazhdueshme mes banorëve dhe përfaqësuesve të kantierit.

“Përshëndetje JOQ"

"Këtu në zemër të Bllokut dhe të Shqipërisë, në rrugën Ismail Qemali vazhdon akoma avazi i Mukës. Parkingun e rrugës e do me patjetër pronari i kantierit, nuk i blen vendet e parkimit në bashki, por blen drejtorin e tabelave rrugore. Po zihemi çdo ditë, as Policia e Shtetit, as policia bashkiake nuk veprojnë. Thonë: "Vrituni që të dilni në lajme, u vra për një vend parkimi." Do veprojnë këta apo të mbërthejmë kallashin, se s’po durojmë dot më!"

"I dhanë lek punonjësit të bashkisë dhe ai vendosi tabelën "Ndalim parkimi", ndërkohë 3 metra më larg shkruhet "Parking me pagesë Bashkia". Kjo është hera e fundit që lajmërojmë institucionet. Faleminderit juve JOQ.” thotë qytetari i revoltuar, duke theksuar se askush nga institucionet përgjegjëse nuk ka ndërhyrë për të ndaluar këtë shpërdorim të hapur. Ai shprehet se policia e shtetit dhe ajo bashkiake i kanë kthyer shpinën këtij problemi, duke nënkuptuar që vetëm një incident i rëndë do t’i detyrojë të reagojnë.

Denoncuesi nuk fshihet pas fjalëve: “Do veprojnë keta apo të mberthejme kallashin?”, duke treguar qartë se durimi i qytetarëve ka arritur kufirin maksimal dhe ndjenja e padrejtësisë po krijon një situatë të tensionuar në rrugë.

Ndërkohë, në vend që këto raste të trajtohen me transparencë dhe profesionalizëm, qytetarët ndihen të braktisur. Ata theksojnë se ky është paralajmërimi i fundit ndaj institucioneve përpara se çështja të dalë jashtë kontrollit.

Kjo situatë vë në dukje edhe një herë mënyrën se si korrupsioni i vogël, por i përditshëm, po shkatërron kohezionin shoqëror dhe funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Kur rrugët e Tiranës, në zemër të kryeqytetit, shndërrohen në pronë të individëve të fortë, dhe institucionet bëjnë sehir, mbetet vetëm të presim pasojat e rënda që kjo do të sjellë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit