Kjo foto nuk është marrë nga ndonjë skenë e ndonjë filmi komik, por pasqyron realitetin shqiptar në vitin 2025, ku Zyra e Punës në Lushnjë ka “pritur” sot disa të interesuar për punësim, por këtë herë me… katër këmbë.
Në foton e dërguar nga një qytetare në redaksinë e JOQ Albania, shihen disa qen endacakë të shtrirë qetësisht në hyrje të institucionit, si për të thënë: “Nëse s’ka punë për njerëzit, ndoshta ka ndonjë mundësi për ne”.
Duket se qentë janë lodhur nga rruga, mungesa e ushqimit dhe përbuzja shoqërore, dhe kanë vendosur të provojnë fatin edhe ata në një zyrë shteti, ndoshta për ndonjë vend si “roje nate”, “kujdestar rruge” apo pse jo, “këshilltar besnik”.
Situata është qesharake në pamje të parë, por në thelb tregon nivelin e neglizhencës së institucioneve, si përballë problemit të qenve endacakë, ashtu edhe përballë qytetarëve që çdo ditë trokasim dyert e papunësisë, me shpresën për një vend pune që nuk ekziston.
Qentë të paktën nuk ankohen. Ata nuk kërkojnë pagë minimale, as sigurime shoqërore. Janë aty, të heshtur, por në fakt të ulërasin më shumë se çdo qytetar që pret kot në radhë për një vend pune që s’vjen kurrë.