“Skafi afrohet me shpejtësi pranë bregut në Radhimë, kishte plot fëmijë përreth që po notonin”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 13.07.2025, 20:42

Një qytetar ka dërguar në redaksinë e JOQ Albania një foto alarmuese nga plazhi i Radhimës, ku shihet një skaf duke lëvizur shumë pranë bregut, në një zonë ku sipas tij ndodheshin plot fëmijë dhe të rritur duke notuar.

Fotoja është shkrepur pranë “Vega Beach”, dhe sipas qytetarit, bëhet fjalë për një fenomen të përsëritur e të rrezikshëm që po ndodh përditë, ndërsa autoritetet nuk kanë marrë mjaftueshëm masa parandaluese.

“Jam në Radhimë, në plazh, dhe papritur u afrua një skaf i madh, me shpejtësi, në zonën e ndaluar pranë bregut. Plot fëmijë dhe të rritur përreth po notonin. E kam lajmëruar edhe policinë. Kjo është e ndaluar dhe e turpshme. Ka të bëjë me sigurinë publike dhe mungesën e ndërgjegjësimit. Është një fenomen shumë i rrezikshëm që ka marrë mjaftueshëm jetë njerëzish”, – thotë qytetari i shqetësuar.

Kjo thirrje e qytetarit na sjell në vëmendje gjithashtu ngjarjen tragjike që tronditi Shqipërinë në gusht të vitit 2022, kur në plazhin e Potamit në Himarë, vogëlushja 7-vjeçare Jonada Avdia u përplas për vdekje nga një skaf që drejtohej nga një ish-punonjësi policie. Vajza ndodhej me prindërit e saj për pushime, ndërkohë që jetonin në Britaninë e Madhe.

Ngjarja e rëndë në Himarë shkaktoi reagime të forta në opinionin publik, protesta, si dhe shkarkime brenda strukturave të Policisë së Shtetit. Ky rast është ende i freskët në kujtesën e qytetarëve dhe e bën edhe më të rrezikshme neglizhencën aktuale.

Nuk duhet të presim që të ndodhë një tjetër tragjedi. Jetët e fëmijëve dhe qytetarëve janë në rrezik të përditshëm nga këto mjete motorike që futen pa leje pranë bregut.

Redaksia jonë i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të reagojnë menjëherë për këtë problem të përsëritur, që mund të sjellë pasoja fatale nëse nuk merren masa.

Në të njëjtën kohë, u bëjmë apel edhe drejtuesve të mjeteve motorike që të respektojnë rregullat e sigurisë në plazhe dhe të mos rrezikojnë jetën e njerëzve për pak aventura.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit