Drejtori shqiptar Erlis Hereni refuzoi bilancet fiktive të kompanisë së Alabbar dhe u shkarkua në heshtje pas kallëzimit penal në SPAK
Projekti i shumëpërfolur i “Durrës Marina” i riktheu titujt për shkak të një përplasjeje të heshtur mes drejtuesve shqiptarë dhe interesave të kompanisë arabe të Mohamed Alabbar-it. E gjitha nisi kur biznesmeni nga Dubai, i përfolur si i afërt me kryeministrin Rama, u tërhoq përkohësisht nga investimi në dhjetor 2023, sapo ndaj tij nisi një hetim penal në Shqipëri.
Kompania “Eagle Hills Real Estate Development”, e regjistruar në një parajsë fiskale, u fut në skemë nga Rama për të realizuar projektin e kullave, qendrave tregtare dhe marinës luksoze në Portin e Durrësit. Për këtë qëllim, u krijua një shoqëri e përbashkët me emrin “Durrës Marina Sh.A”, ku 67% zotërohej nga Alabbar dhe 33% nga shteti shqiptar përmes kompanisë publike “Albanian Seaports Development”.
Menaxhimin fillestar të kësaj shoqërie e mori Dhimitraq Mili, i njohur për lidhjet me kompaninë “Gener 2” të Bashkim Ulajt, ndërsa si përfaqësues i shtetit u emërua Erlis Hereni. Ky i fundit u përball me presion të madh për të nënshkruar bilance të manipuluara, që përfshinin shifra të pasakta mbi transferta, shpenzime dhe sipërfaqe të ndërtimit.
Në korrik 2024, pas refuzimit për të legalizuar zgjerimin e sipërfaqes ndërtimore me 70 mijë m² shtesë, Hereni u shkarkua në mënyrë të heshtur nga Pirro Vengu, atëherë drejtor i Portit të Durrësit. Largimi u prezantua publikisht si “dorëheqje”, ndërsa ndryshimet u regjistruan në QKB vetëm një vit më pas, në vitin 2025.
Si “shpërblim” për heshtjen dhe largimin pa zhurmë, Hereni u caktua sekretar në Misionin Shqiptar pranë OKB-së, duke u larguar nga çdo lidhje me aferën. Në vend të tij, qeveria emëroi Alban Binajn, një emër i lidhur familjarisht me drejtuesin aktual të Tatimeve, Ilir Binaj. Kjo lëvizje ka ngritur dyshime për konflikt interesi, pasi pikërisht ky institucion ka për detyrë të mbikëqyrë bilancet fiskale të koncesionarit.
Afera “Rama-Alabbar” mbetet një nga çështjet më të errëta dhe të heshtura në vend, ku heshtja institucionale dhe emërimet klienteliste kanë marrë vendin e transparencës dhe ligjshmërisë.