Parku i lodrave në Astir, i mbushur plot me plehra, i braktisur dhe i rrezikshëm për fëmijët

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 13.07.2025, 18:00

Një park lodrash pranë njësisë bashkiake nr. 14 në Astir është braktisur prej javësh dhe po kthehet në vatër infeksionesh për fëmijët.

Një banor i zonës i shqetësuar i është drejtuar redaksive me një apel publik, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për rikthimin e sigurisë në parkun e lodrave përballë njësisë bashkiake nr. 14 në Astir. Sipas denoncimit, parku është lënë në harresë të plotë.

Prej disa javësh, askush nuk është kujdesur për pastrimin apo mirëmbajtjen e këtij ambienti që në thelb duhet të jetë një hapësirë rekreative për fëmijët. Aktualisht, vendi është mbuluar nga papastërtitë dhe mungesa e higjienës, duke u kthyer në një kërcënim serioz për shëndetin e të miturve.

Prindërit janë të shqetësuar, pasi shumë prej tyre nuk kanë alternativa të tjera për t’i çuar fëmijët në një mjedis të sigurt dhe të pastër.

“Përshëndetje, nëse do e publikoni do na bënit nder, faleminderit. Parku i lodrave në Astir, përballë njësisë bashkiake 14. Ka javë që nuk vjen dot dikush këtu edhe është kthyer në një vatër infeksionesh për fëmijët.” – thuhet në apelin qytetar drejtuar redaksisë së JOQ.

Edhe pse parku ndodhet përballë një institucioni vendor, vëmendja ndaj tij duket se mungon krejtësisht. Asnjë masë nuk është marrë për përmirësimin e gjendjes apo për garantimin e kushteve minimale higjieno-sanitare.

Banorët kërkojnë reagim urgjent dhe rikthimin e funksionalitetit të parkut, duke theksuar se injorimi i këtij problemi përbën neglizhencë të rëndë ndaj fëmijëve dhe komunitetit.

Në mungesë të veprimit nga autoritetet, zona rrezikon të kthehet në një pikë e braktisur e qytetit, ku siguria dhe mirëqenia e fëmijëve mbeten në mëshirë të fatit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit