Një komunitet i tërë në qytetin bregdetar Tramore në Irlandë ka dalë në mbështetje të një familjeje shqiptare që përballet me urdhër dëbimi nga shteti. Prindër dhe fëmijë u mblodhën për të kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të mos dëbojnë familjen dhe t’u jepet qëndrim humanitar.
Mes tyre ishte edhe vajza 6-vjeçare Luna, nxënëse në shkollën “Tramore Educate Together”, e cila është rritur në këtë komunitet. Bashkëmoshatarët e saj mbajtën postera me mesazhe si “Trá mór, grá mór” (Dashuri e madhe në Tramore) dhe “Miqtë tanë e kanë vendin këtu”.
Nëna e Lunës, e cila kërkon të mbetet anonim, tregon se u larguan nga Shqipëria në vitin 2022 për shkak të kërcënimeve serioze dhe frikës për trafikim të mundshëm të vajzës. “Askush nuk do të flasë keq për vendin e tij, por Shqipëria nuk është e sigurt”, thotë ajo. Aktualisht punon si pastruese, ndërsa bashkëshorti punon në ndërtim.
Familja jeton në Tramore prej vitit 2022, por u është refuzuar kërkesa për qëndrim dhe janë njoftuar se duhet të largohen nga Irlanda deri në fund të gushtit. Shtyrja u dha vetëm për shkak të djalit të tyre 2-vjeçar, i cili ka probleme të rënda shëndetësore dhe i është nënshtruar një operacioni këtë vit, shkruajnë mediat irlandeze.
“Kam ditë që mezi marr frymë nga stresi. Ka momente që dua të dorëzohem, por duhet të luftoj për fëmijët e mi”, thotë nëna me lot në sy.
Shoqata e prindërve të shkollës i ka dërguar një letër Ministrisë së Drejtësisë ku thekson se dëbimi i kësaj familjeje përbën rrezik për jetën e fëmijës së vogël që ka nevoja të veçanta mjekësore. Ata e cilësojnë si akt që do të shkaktojë “traumë të pariparueshme”.
Ndërkohë, një peticion online me mbi 500 firma kërkon që qeveria irlandeze të tregojë ndjeshmëri dhe humanizëm përballë kësaj situate.
Zëdhënësi i Ministrisë deklaroi se rastet e fëmijëve trajtohen në mënyrë të detajuar dhe se dëbimi i të miturve ndodh vetëm si mjet i fundit, kur familjet refuzojnë të largohen vullnetarisht.
Sipas të dhënave zyrtare, nga fillimi i vitit janë dëbuar 106 persona me fluturime të posaçme dhe 69 me linja komerciale, përfshirë 13 fëmijë – mes tyre edhe 5 shqiptarë.
Ministri i Drejtësisë, Jim O’Callaghan, deklaroi në Parlament se nuk ka ndërmend të ndalojë dëbimin e fëmijëve, duke argumentuar se kjo do ta veçonte Irlandën nga Europa dhe mund të inkurajonte më shumë njerëz të vinin me fëmijë, duke abuzuar me sistemin.
