Banorët e njësisë nr. 3 denoncojnë kthimin e trotuareve në parkingje private dhe ndërtimin pa leje të një lokali
Banorët e rrugës “Kongresi i Manastirit”, përballë Spitalit Pediatrik në Tiranë, kanë ngritur shqetësimin për uzurpimin sistematik të hapësirave publike në lagjen e tyre. Sipas tyre, një grup individësh janë vetëshpallur pronarë të trotuarit dhe rrugës, duke i rrethuar me rrjeta hekuri dhe kthyer në parking privat.
Në vend që trotuaret të shërbejnë për kalimtarët, janë shndërruar në hapësira të zëna nga makina, ndërsa në një pjesë të zaptuar është ndërtuar edhe një lokal. Banorët i bëjnë thirrje kryeministrit që të ndërhyjë dhe të shohë nga afër situatën, që sipas tyre po zhvillohet në mes të kryeqytetit, pa asnjë masë nga institucionet përgjegjëse.
Ata theksojnë se trotuaret janë të bllokuara, ndërsa hyrjet e objekteve publike, përfshirë derën e KESH-it në zonë, janë kthyer në parking. Ky abuzim, sipas banorëve, ka ndodhur në heshtje të plotë institucionale, sikur dikush ua ka mbyllur gojën autoriteteve për të mos vepruar.
Përballja e përditshme me ata që pretendojnë se janë “pronarë të trotuarit” është kthyer në stres për komunitetin. Banorët thonë se kanë vite që jetojnë në këtë situatë absurde, pa gjetur zgjidhje, dhe ndihen të braktisur nga strukturat që duhet t’i mbrojnë.
“Përshëndetje, jemi banorë të njësisë nr. 3, rruga "Kongresi i Manastirit", përballë spitalit pediatrik. Donim të sillnim një rast të zaptimit të hapësirës së ambienteve të përbashkëta të lagjes tonë nga të vetëshpallurit pronarë të rrugës dhe trotuarit, duke i kthyer në parking të rrethuar me rrjeta dhe duke ndërtuar lokal. Të shikojë z. Kryeministër se çfarë ndodh në mes të Tiranës, në lagjen tonë dhe nuk merret asnjë lloj mase: bllokimi i trotuareve, bllokim i hapësirave publike dhe kthim në parking privat, bllokim i dyerve të KESH-it në parking, dhe asnjëri nga organet kompetente nuk ka reaguar deri më sot, sikur ia ka mbyllur DIKUSH gojën për këto parkingje dhe zënien e trotuareve. Ju lutemi, ne si qytetarë të kësaj lagjeje, që kemi disa vite që po vuajmë me këtë problematikë, duke u përballur me “pronarët” e trotuareve dhe të hapësirës që i takon komunitetit. JU LUTEM ANONIM, JOQ MUND TA PUBLIKONI.” – shkruajnë ata në një mesazh.
Denoncimi shkon edhe më tej, duke sugjeruar se pas këtij zaptimi mund të qëndrojë një dorë e heshtur që mbron abuzuesit dhe nuk lejon ndërhyrjen ligjore. Kjo heshtje, sipas tyre, është tregues i degradimit institucional në raport me të drejtat qytetare.
Banorët shpresojnë që përmes publikimit të këtij shqetësimi të nxitet ndërgjegjësimi publik dhe të ushtrohet presion ndaj autoriteteve për të vepruar menjëherë dhe për të rikthyer hapësirat e përbashkëta në funksion të komunitetit.