Radha kilometrike në Qafë Thanë kthehet në përditshmëri, qytetarët të bllokuar prej orësh

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 13.07.2025, 14:49

Qindra makina të bllokuara për më shumë se dy orë në kufirin e Qafë Thanës, ku radha ka arritur mbi 1.5 kilometra gjatësi

Prej orësh, dhjetëra qytetarë kanë mbetur të bllokuar në kufirin e Qafë Thanës, duke pritur në temperatura të larta dhe pa asnjë informacion zyrtar për shkakun e vonesave. Radha ka kaluar 1.5 kilometra dhe situata është bërë e zakonshme gjatë ditëve të fundit.

“Kemi mbi 2 orë në radhë Qafë Thanë, situata e përditshme me orë të gjata. Radha ka kaluar mbi 1.5 kilometër."

"S’e di çfarë bëhet, s’ka ndodhur kurrë kështu përditë, një avaz,” tha një qytetar që po udhëtonte drejt Maqedonisë së Veriut. Shumë të tjerë ndajnë të njëjtin shqetësim, duke e konsideruar pritjen e gjatë si të padurueshme dhe të papranueshme për sezonin veror.

Mungesa e koordinimit dhe kapacitetit të ulët të përpunimit në pikën kufitare ka shkaktuar pakënaqësi të thellë. Në vend që të merren masa për të përballuar fluksin, autoritetet duket se nuk kanë asnjë plan emergjent.

Kjo situatë përsëritet çdo ditë, sidomos gjatë muajve të verës, kur emigrantët dhe turistët shqiptarë kthehen në atdhe. Në vend që të lehtësohet trafiku, radha po rritet përditë, duke ndikuar negativisht në lëvizjen dhe nervat e qytetarëve.

Mungesa e informacionit dhe komunikimit nga ana e institucioneve vetëm sa përkeqëson frustrimin. Disa qytetarë raportojnë edhe për mungesë të ndihmës bazë si ujë apo asistencë për të moshuarit dhe fëmijët.

Nëse situata vazhdon në këtë formë, Qafë Thana rrezikon të kthehet në një nga pikat më problematike të hyrjes dhe daljes nga vendi, me pasoja jo vetëm për udhëtarët, por edhe për imazhin e Shqipërisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit