Këmbëkryq si dikur! Kuvendi i Burrave në Theth thirrje Ramës: Kullat i kemi mbrojtur me gjak

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 13.07.2025, 14:21

Në ditën e shtatë të aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth, heshtja malore fsheh një tension që po rritet. Ndërsa IKMT vijon me shembjen e mbi 70 objekteve, në qendër të Thethit, përpara Kishës së vjetër simbol të zonës, u mblodh Kuvendi i Burrave, një rit i hershëm i të drejtës zakonore, që vjen si formë paqësore por e fortë rezistence.

Të ulur këmbëkryq pranë kishës së Thethit, pas dekadash, janë mbledhur përfaqësues të bajrakëve e kleri të Dukagjinit, banorë autoktonë të zonës që e përbëjnë mozaikun e pasur shoqëror të zonës dhe kanë diskutuar për prishjen e bujtinave dhe mungesën e një zgjidhjeje të drejtë për komunitetin.

Zef Vladi, përfaqësues i Shalës, në emër të kuvendit, lëshoi një thirrje të qartë.

"Kam bërë thirrje qeverisë për të ndërprerë aksionin se nuk është e arsyeshme. U kam bërë thirrje se ata i kanë gabimet, i kanë parë me sytë e vet që janë bërë, nuk duhet të ishin lejuar të bëheshin. Ato shtëpitë tona nuk janë prish akoma, por do tu vijë dita. Duhet me vlerësuar si tek familja ime. Edhe në Kosovë kur serbi ka ardh, atje u derdhte gjak, edhe zemra e shqiptarëve derdhte gjak. Anë e mbanë botës, gjithë dukagjini, Puka, më kanë shkruar që jemi me ju, por gjithmonë duke kërkuar të drejtat tona. Ne jemi ata që e kemi mbrojtur këtë tokë. Këto kulla janë bërë me djersë e larë me gjak, i kemi mbrojtur me gjak. Nuk është e arsyeshme as shteti, as kurrkush me ardhur me hy në tokat tona, tokat shekullore. Ku sot i ke pa tapi. Të ulemi të bisedojmë, jo të shkatërrojmë. Jemi vëllezër, nuk është e arsyeshme. Po del populli në rrugë të madhe, jemi për paqe, por duhet të bisedojmë, kërkoj dialog me ta. Të vijnë këtu, përse shembin, jemi vëllezër", tha ai.

Prifti i zonës, gjatë fjalës para meshës, bëri thirrje për paqe dhe mirëkuptim, ndërsa Arqipeshkvia Metropolitane e Shkodrës ka reaguar publikisht duke dalë në mbrojtje të banorëve dhe të mjedisit të Thethit.

A do t’i nënshtrohet Kuvendi i Burrave dukagjinas një vendimi që vjen pa pyetur, pa dëgjuar, pa respektuar tokën dhe traditën?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit