“Rama i Kuçovës” dhe krimi ndërtojnë mes qytetit, shteti bën sehir

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 13.07.2025, 11:56

Në zemër të Kuçovës po ndërtohet pa leje një lavazh nga trafikanti i njohur Gert Mara, me mbështetje të plotë nga bashkia dhe heshtjen e strukturave shtetërore.

Në një nga zonat më publike të qytetit të Kuçovës ka nisur ndërtimi i një lavazhi, jo nga një sipërmarrës i ligjshëm, por nga Gert Mara, i njohur për përfshirjen në trafikun e drogës dhe lidhjet e tij me botën e krimit në jug të vendit. Ai ka marrë një leje shfrytëzimi nga bashkia, por pa leje ndërtimi apo miratime nga institucionet përgjegjëse. Kjo nuk është një shkelje teknike, por një strategji për të marrë kontroll mbi pronat publike dhe për të legjitimuar aktivitetin kriminal.

Dikur një vatër e dijes dhe qytetarisë, Kuçova po përjeton një rrënim institucional dhe moral. Qyteti që njihej për intelektualët e tij, sot është kthyer në terren eksperimental të kapjes së shtetit, ku trafikantët ndërtojnë me lehtësi dhe mbështetje nga pushteti vendor. Në këtë realitet të deformuar, krimi nuk fshihet më, por ngrihet në mes të qytetit, me firmë dhe vula zyrtare.

Kryebashkiaku Kreshnik Hajdari, që me arrogancë e quan veten “Edi Rama i Kuçovës”, është kthyer në simbol të këtij degradimi. Në vend që të ndalë ndërtimet pa leje, ai i justifikon dhe i mbështet. Institucionet që duhet të garantojnë ligjshmërinë janë bërë palë në këtë uzurpim të hapësirave publike. Shembulli më flagrant është prania e një furgoni policie pranë ndërtimit, që nuk ndërhyn dhe nuk vepron, megjithëse ndërtimi është i paligjshëm dhe pa dokumentacion.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Beratit, Shkëlqim Xhezairaj, i cili më parë ka qenë i përfshirë në një çështje narkotrafiku, vjen në vendngjarje, jo për të ndaluar ndërtimin, por për të “konstatuar” një leje shfrytëzimi. Ai mbyll sytë ndaj mungesës së lejes së ndërtimit dhe lejes nga baseni ujor, dhe vendos të procedojë vetëm për hapjen e një pusi uji. Ky veprim tregon qartë se policia ka braktisur detyrën dhe është kthyer në mburojë për krimin.

Dosja e këtij ndërtimi të paligjshëm është referuar në IKMT-në Berat, institucion i drejtuar nga Amarildo Tafa. Lidhjet e dyshimta të Tafës me Gert Marën janë bërë objekt diskutimi publik, ndërsa burime nga qyteti flasin për takime të përsëritura dhe marrëveshje të fshehta për të mbyllur çështjen. Arrestimi i Tafës është përfolur si i pashmangshëm, por mbetet për t’u parë nëse drejtësia do të guxojë të godasë këto lidhje të rrezikshme mes pushtetit dhe krimit.

E gjithë kjo skemë është tashmë në duart e Prokurorisë së Beratit, e cila përballet me një provë të qartë: të hetojë dhe të ndëshkojë një zinxhir të strukturuar abuzimi, ose të heshtë dhe të legjitimojë përfundimisht kapjen e shtetit. Në këtë skandal janë të përfshirë emra me pushtet: Kreshnik Hajdari, Gert Mara, drejtues policie, shefa të IMT dhe zyrtarë të IKMT. Heshtja do të thotë bashkëfajësi.

Pyetja që lind është: A do të veprojë Edi Rama për të shkarkuar Hajdarin dhe për të hetuar strukturat që po përdhosin ligjin? Apo gjithçka do të mbyllet me një deklaratë boshe në rrjetet sociale? Arrestimi i Gert Marës dhe ndëshkimi i bashkëpunëtorëve të tij do të ishin një hap konkret për të rikthyer besimin tek drejtësia. Në të kundërt, qytetarët do të kuptojnë se shteti është tërhequr përfundimisht dhe ka dorëzuar pushtetin tek krimi i organizuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit