Pas 24 vitesh vuajtjeje dhe padrejtësie, dy vëllezër nga Puka shpallen të pafajshëm në Strasburg, por shteti shqiptar refuzon të marrë përgjegjësi.
Në mars të vitit 2001, fshati Lajthizë i Pukës do të përballej me një padrejtësi të rëndë që do t’i kushtonte dy të rinjve gjithë jetën. Artur dhe Behar Lika, vëllezër të moshës 19 dhe 17 vjeç, u arrestuan brutalisht dhe pa prova, duke u akuzuar për një grabitje të armatosur ndaj pasagjerëve të një autobusi në linjën Kukës-Tiranë.
Në vend të një procesi të drejtë, drejtësia shqiptare ndërtoi një farsë. Pa analiza balistike, pa dëshmi konkrete dhe me identifikime të pasakta, Gjykata e Pukës vendosi t’i dënojë vëllezërit: Arturin me 13 vite burg dhe Beharin me 5, vetëm sepse ishte i mitur. Vendimi u mbështet pa hezitim nga të gjitha shkallët e drejtësisë shqiptare.
Pas viteve të kaluara në qeli, Strasburgu vendosi të ndërhynte. Në vitin 2010, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut shpalli se procesi ndaj vëllezërve Lika kishte qenë një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut. Tre vite më vonë, Gjykata e Apelit në Shkodër u detyrua të pranonte pafajësinë e tyre. Por jeta e tyre tashmë ishte shkatërruar përtej çdo rikuperimi.
Artur Lika qëndroi pas hekurave për 9 vjet e 3 muaj. Doli prej andej i rrënuar fizikisht dhe emocionalisht, por vendosi të kërkonte dëmshpërblim për çdo ditë të humbur. Për shtetin shqiptar, jeta e tij vlejti vetëm 1,000 lekë në ditë – një shumë poshtëruese që në total arriti në 3.6 milionë lekë. Vëllai i tij, Behar, që doli nga burgu me trauma të rënda dhe paaftësi për punë, mori vetëm 1.38 milionë lekë.
“Vëllai im doli nga shkolla dhe u kthye me kartelë mjekësore. Ky shtet na mori jetën dhe po na dënon sërish,” – deklaronte Arturi me zemërim dhe dhimbje.
Rasti i vëllezërve Lika nuk është i vetmi. Në Shqipëri, drejtësia shpesh u ka kthyer shpinën qytetarëve të pafajshëm. Por historia e tyre është një dëshmi e gjallë se padrejtësia nuk duhet të normalizohet. Kjo është një thirrje për dëmshpërblim të ndershëm dhe për një sistem gjyqësor që nuk dënon pa prova, por mbron të drejtën dhe dinjitetin njerëzor.