Linda e AKSHI-it legjitimon mashtrimet me kriptovaluta përmes licencimit të kontrolluar

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 13.07.2025, 11:32

Ndërsa qytetarët bien pre e mashtrimeve me kriptovaluta, qeveria po i jep dorë këtij informaliteti duke shpërndarë licenca në mënyrë selektive për përfitime të drejtpërdrejta.

Kryeministri Edi Rama duket se po ndjek të njëjtën formulë që përdori për kanabisin dhe lojërat e fatit, këtë herë me tregun e kriptovalutave. Qeveria po krijon një infrastrukturë të re që jo vetëm e formalizon tregun, por i jep kontroll të plotë mbi të. Në vend që të ndërtojë mekanizma mbrojtës për qytetarët, po synohet përfitimi nga vetë informaliteti.

Në korrik 2025, pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit u ngrit një drejtori e re për inteligjencën artificiale dhe licencimin e kriptovalutave. Kjo strukturë, nën drejtimin e Lindës së AKSHI-t, do të ketë pushtetin absolut për të vendosur se kush operon dhe kush përjashtohet nga tregu. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), i cili duhej të kishte rolin mbikëqyrës, është reduktuar në një konsulent të panevojshëm.

Kjo strategji e re shtetërore vjen në një kohë kur mijëra qytetarë kanë humbur kursimet në skema mashtruese me kripto. Rastet denoncohen, por dosjet arkivohen pa zgjidhje, duke treguar qartë qëllimin: të mos ndalet mashtrimi, por të kontrollohet dhe të përfitohet prej tij. Nën petkun e “adoptimit të teknologjisë”, qeveria po krijon një treg të licencuar vetëm për të përzgjedhurit.

AMF ka paralajmëruar qytetarët për rreziqet që mbart investimi në platforma të palicencuara si NetherexPro. Por ky paralajmërim bie ndesh me realitetin, pasi në Shqipëri nuk ka asnjë subjekt të licencuar për kriptovaluta. Qeveria, në vend që të zbatojë ligjin ekzistues për tregjet financiare të bazuara në teknologji, ka zgjedhur ta mbajë peng atë, për të kontrolluar kujt i jep akses në këtë treg fitimprurës.

Rama, në nëntor 2022, u takua me CEO-n e Binance, Changpeng Zhao, një takim i pazbuluar nga zyrat shtetërore, por i dokumentuar nga vetë Zhao. Vetëm një muaj më vonë, Binance zhvendosi selinë në Dubai, duke shtuar dyshimet për një marrëveshje të fshehtë që mund të shndërrojë Shqipërinë në një parajsë për tregtarët e kriptove.

Ligji ekziston që prej vitit 2020 dhe parashikon tre kategori licencash, me kapitale të përcaktuara qartë. Por, qëllimisht, asnjë nuk është dhënë. Ky bllokim nuk është rastësor, por një mënyrë për të ushtruar kontroll politik dhe ekonomik mbi një sektor që, ndonëse i rrezikshëm, është një burim i madh fitimi. Në vend të mbrojtjes së qytetarëve, kemi një model: kompanitë e kriptove le të mashtrojnë qytetarët, për sa kohë që pjesa jonë vjen rregullisht.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit