Dy ditë më parë, JOQ Albania publikoi rastin e ndotjes së ujërave të lumenjve në fshatin Muhurr të Dibrës, ku një djalë i ri shfaqej në pamje duke hedhur mbeturinat e një lokali në lumë.
Ky rast u konsiderua si një ndotje mjedisi, dhe dyshimet paraprake ishin se fëmija po përdorej nga persona të tjerë më të rritur, të cilët e kishin urdhëruar të bënte ato veprime sapo ishin larguar turistët.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar Policia Vendore e Dibrës, të cilët njoftojnë se kanë nisur procedim penal në gjendje të lirë për pronarin e lokalit, shtetasin me inicialet M. M., 64-vjeç, për veprën penale “Ndotja e Ujërave”.
Gjithashtu Drejtoria e Mbrojtjes së Mjedisit ka vendosur një gjobë me vlerë 13 milion lekë ndaj 64-vjeçarit.
Në njoftimin e policisë thuhet:
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër
Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, ku shfaqet një shtetas i mitur duke hedhur mbeturina në ujin e lumit Drini i Zi, informojmë se:
Menjëherë pas publikimit, janë kryer verifikimet në lidhje me rastin dhe, në përfundim të veprimeve të para hetimore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Ndotja e ujërave”, në ngarkim të shtetasit M.M., 64 vjeç, banues në fshatin Muhurr, pasi gjatë punës te lokali i tij, ka lejuar një shtetas të mitur të hedhë në ujërat e lumit Drini i Zi mbeturina, duke ndotur ujërat e këtij lumi.
Gjithashtu, nga Drejtoria e Mbrojtjes së Mjedisit është vendosur masë administrative në shumën 13 000 000 (trembëdhjetë milion) lekë, ndaj shtetasit M.M., për shkeljen e kryer në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e mjedisit.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër falënderon qytetarët dhe mediat për bashkëpunimin, si dhe i fton të vijojnë të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje të ligjit, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm, të drejtë dhe të paanshëm.