Incidenti për tokën në Livadhë, reagojnë “Prado Luxury” dhe gruaja e trashëgimtarit të tokës

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 13.07.2025, 11:27

Një ngjarje e dhunshme e ndodhur në zonën e Himarës, pranë ambienteve të hotelit “Prado Luxury”, është bërë publike ditën e djeshme nga JOQ Albania, pas denoncimit të një qytetareje që pretendonte se kishte qenë dëshmitare e dhunës fizike ndaj dy grave që po dhunoheshin nga pronari i hotelit në fjalë. Videoja e publikuar në rrjetet sociale ka nxitur reagime të forta.

Pas publikimit të videos, ka ardhur një reagim zyrtar nga shoqëria “Star Butik Hotel” sh.p.k., me emër tregtar “Prado Luxury Hotel”. Sipas deklaratës, prona ku ka ndodhur incidenti është në pronësi të ligjshme të trashëgimtarëve të znj. Sose Kokaveshi dhe është dhënë me premtim-blerje për shoqërinë nga bashkëpronarët Nikolla dhe Dhimitër Kokaveshi. Sipas hotelit, incidenti është provokuar nga gratë në video, pra persona që nuk kanë të drejtë ligjore mbi pronën dhe janë paraqitur kallëzime penale në prokurori për “zaptim prone” dhe “vetëgjyqësi”.

Vajzat në video sipas Prado Luxury Hotel e kanë problemin me familjarët e tyre të cilëve nuk u kanë dhënë tokë. Sipas Prado Luxury Hotel toka ka të gjitha dokumentet e aktit të blerjes. Pretendimet e vajzave që toka është e tyre kanë nisur këto 3 muaj sipas Prado Luxury Hotel, teksa shton se Mariana Bezhani dhe znj. Kristina Bezhani, të cilat, gjatë gjithë sezonit turistik, kanë hyrë në mënyrë të përsëritur në ambientet përreth hotelit, duke ushtruar presion dhe shqetësuar punonjësit si dhe klientët.

Deklaratë zyrtare e shoqërisë “Star Butik Hotel” sh.p.k. (me emër tregtar “Prado Luxury Hotel”) lidhur me incidentin e ndodhur pranë ambienteve të hotelit

Shoqëria “Star Butik Hotel” sh.p.k., me emër tregtar “Prado Luxury Hotel”, në lidhje me incidentin e ndodhur pranë ambienteve të hotelit dhe videon e publikuar në rrjetet sociale ditën e sotme, dëshiron të informojë opinionin publik si më poshtë:

Toka në fjalë, për të cilën është publikuar materiali filmik,ndodhet në krah të hotelit dhe përdoret si parkim për klientët. Toka është në pronësi të ndjerës znj. Sose Kokaveshi, fakt i vërtetuar me certifikatë pronësie (bashkëngjitur dokumentacioni përkatës). Pas ndarjes nga jeta të znj. Kokaveshi, toka me sipërfaqe totale 3500 m² është trashëguar në mënyrë të ligjshme nga dy djemtë e saj, z. Irakli dhe z. Jani Kokaveshi, me nga 1750 m² secili (bashkëngjitur dëshmia e trashëgimisë).

Pas ndarjes nga jeta të z. Jani Kokaveshi, prona i ka kaluar me testament djemve të tij, z. Nikolla dhe z. Dhimitër Kokaveshi (bashkëngjitur kopja e çeljes së testamentit).

Shoqëria “Prado Luxury Hotel” ka lidhur një kontratë premtim-blerje me z. Nikolla Kokaveshi dhe z. Dhimitër Kokaveshi për pronën në fjalë (bashkëngjitur kopjet e kontratave përkatëse). Theksojmë se të dy bashkëpronarët ligjorë nuk kanë asnjë pretendim apo kontestim ndaj kësaj prone; përkundrazi, ata kanë depozituar kallëzim penal pranë prokurorisë ndaj personave që pretendojnë padrejtësisht të drejtë mbi këtë pronë, për veprat penale të “zaptimit të pronës” dhe “vetëgjyqësisë”.

Dy zonjat e identifikuara në videon e publikuar janë znj. Mariana Bezhani dhe znj. Kristina Bezhani, të cilat, gjatë gjithë sezonit turistik, kanë hyrë në mënyrë të përsëritur në ambientet përreth hotelit, duke ushtruar presion dhe shqetësuar punonjësit si dhe klientët tanë. Para disa ditësh, një nga punonjësit tanë është dhunuar fizikisht nga znj. Kristina Bezhani, dhe për këtë ngjarje është bërë kallëzim penal në Komisariatin e Policisë Himarë. Të dyja zonjat janë shoqëruar nga oficerët e policisë për veprime të mëtejshme.

Shoqëria “Prado Luxury Hotel” ka ndjekur të gjitha hapat ligjorë për mbrojtjen e të drejtave të saj, duke depozituar kallëzime pranë Komisariatit të Policisë Himarë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.

Në përfundim, shoqëria njofton se do të ndërmarrë të gjitha procedurat ligjore përballë çdo media apo portal që ka kontribuar në dëmtimin e imazhit dhe reputacionit të hotelit tonë, në kundërshtim me të vërtetën dhe faktet ligjore të çështjes.

Ndërkohë, një reagim ka ardhur edhe nga bashkëshortja e z. Nikolla Kokaveshi, e cila ka sqaruar se toka është trashëguar në mënyrë të ligjshme dhe kontratat janë firmosur me prokurë nga të gjithë trashëgimtarët. Ajo thekson se çdo pretendim duhet të zgjidhet në rrugë gjyqësore dhe jo përmes provokimeve apo përshkallëzimit të situatave të dhunshme.

Bashkëshortja e z. Nikolla Kokaveshi

Pershendetje! -Ajo toke eshte nje prone e dhene me 7501 tek Sose Kokaveshi

– nga Sose Kokaveshi e trasheguan 2 djemte e saj Jani Kokaveshi dhe Irakli Kokaveshi

– Jani Kokaceshi e la me testament tek 2 djemte e tij Dhimiter Kokaveshi dhe Nikolla Kokaveshi

– Dhimiter Kokaceshi ka nderruar jete dhe e trashegojne Valentina Laert dhe Elisavet Kokaveshi

Pra aktualisht me testamentin e Jani kokaveshit qe ka lene djemte e tij pronare sic i keni dhe ne dokumentat qe ju jane derguar te 4 personat qe e trashegojne kane bere premtim shitje me kompanine Star Butik Hotel tek noter ne baze te rregullave te shtetit. Te gjitha keto dokumenta jane paraqitur dhe ne policine e Himares dhe ne policine e Vlores ashtu siç u derguan dhe tek ju. Kush do qe pretendon vete e kerkon ne gjyq dhe jo te provokoje icidente.

Të dy palët thonë se kanë paraqitur dokumentacionin e plotë pranë institucioneve përkatëse dhe kërkojnë zgjidhje ligjore të çdo kontestimi, ndërsa rasti mbetet në vëmendjen e autoriteteve për hetim të mëtejshëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit