Një tender prej 2.2 milionë eurosh u fitua nga “Adel Co”, një kompani me pronar në hije dhe dokumentacion të manipuluar, sipas Agjencisë së Prokurimit Publik.
Në një tjetër skandal që trondit skenën e tenderëve publikë, kompania “Adel Co”, e lidhur me biznesmenin e përfolur Arjan Lleshi, është përjashtuar për një vit nga çdo procedurë prokurimi publik, pas një hetimi administrativ të Agjencisë së Prokurimit Publik (APP). Vendimi erdhi pas abuzimeve me dokumentet në një tender prej mbi 2.2 milionë eurosh të zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.
Zyrtarisht, kompania figuron në emër të Kliti Avdullarit, por të gjitha gjurmët dhe praktikat e deritanishme tregojnë se kontrollin e vërtetë mbi “Adel Co” e ushtron Arjan Lleshi, një emër i njohur për lidhje të dyshimta me struktura të prokurimit. APP e cilësoi këtë kompani si mashtruese, pasi kishte "keqinformuar për qëllime kualifikimi", duke shkelur rregullat bazë të konkurrencës së ndershme.

Vendimi për përjashtimin e "Adel Co", burimi: Agjensia e Prokurimit Publik, Boldnews
Hetimi nisi pas ankesës së një prej kompanive që morën pjesë në tenderin për “blerjen e kutive dhe dosjeve për ruajtje të përkohshme”. Rezultatet treguan qartë që dokumentet e paraqitura nga “Adel Co” ishin të rreme dhe të fabrikuara me qëllim përfitimi. Kjo solli përjashtimin për 12 muaj nga të gjitha tenderat shtetërorë, si një masë minimale në raport me abuzimin e kryer.
Skema e përvetësimit të “Adel Co” ka qenë gjithmonë e turbullt. Fillimisht, kompania u regjistrua në emër të Reshit Konit, një person që më shumë se sa pronar, ishte thjesht punonjës i zakonshëm që shpesh shfaqej si roje nate ose hamall. Në vitin 2017, ai ia dhuroi aksionet Arjan Lleshit, ndërsa ky i fundit në 2019 ia kaloi Kliti Avdullarit. E megjithatë, të gjitha faktet e mëvonshme e kthejnë sërish vëmendjen te Lleshi si njeriu me pushtetin real në prapaskenë.
Ajo që e bën edhe më të dyshimtë këtë histori është roli i Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), i cili, në vend që të ndëshkonte mashtrimin, favorizoi “Adel Co” në vendimmarrje, nën drejtimin e Jonaid Myzyrit. Kompania humbëse iu drejtua më vonë Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar hetim penal për të gjithë anëtarët e komisionit, duke përfshirë edhe rolin e Lleshit si “pronar në hije”.
Edhe opozita e denoncoi publikisht këtë aferë në mars 2025, duke e konsideruar një tjetër rast të shpërdorimit të fondeve publike dhe të manipulimit të procedurave shtetërore për interesa të ngushta klienteliste.
Ndërkohë, “Adel Co” ka fituar vazhdimisht tenderë nga institucione të rëndësishme, përfshirë Bashkinë e Tiranës gjatë kohës që drejtohej nga Erion Veliaj. Më shqetësuese është fakti se biznesmeni Arjan Lleshi ka lidhje personale me një punonjëse të zyrës së prokurimit të kësaj bashkie – një emër që del edhe në dosjen hetimore “5D”, megjithëse nuk është ende zyrtarisht pjesë e hetimeve të SPAK.
Ky rast tregon qartë se tenderët publikë në Shqipëri vazhdojnë të jenë një fushë ku manipulohet me dokumente, kontrollohet nga njerëz “në hije” dhe ku interesat e qytetarëve zëvendësohen nga lojërat e errëta të klientëve të pushtetit.