Një ngjarje shqetësuese është raportuar në redaksinë e JOQ Albania nga familjarët e një avokateje të re të quajtur Sava, e cila ka rënë viktimë e një vjedhjeje me dëm të jashtëzakonshëm financiar dhe emocional.
Sipas denoncimit të mbërritur, ngjarja ka ndodhur mesditën e kësaj të shtune, rreth orës 13:50, në një supermarket në Fushë-Krujë, ku avokatja, pasi ka dalë nga ambienti i marketit, dyshohet se është ndjekur nga tre gra, të cilat i kanë marrë çantën personale në mënyrë të organizuar dhe të qëllimshme.
Çanta e kuqe, e rrëmbyer brenda pak minutash, sipas denoncimit përmbante 12 mijë euro në prerje 500€, një varëse diamanti me vlerë të madhe emocionale pasi ishte kujtim nga gjyshja e ndjerë e cila e kishte rritur, kartvizita dhe karta bankare, dëshminë e avokatisë si dhe sende të tjera personale, që në total llogariten të kenë një vlerë rreth 22 mijë euro.
Në videon që ka mbërritur në redaksinë tonë, shihen qartësisht tre gra duke ecur pas avokates së re në momentet pas daljes nga marketi. Familjarët dyshojnë fort se njëra prej tyre është autorja e grabitjes.
Ajo që e bën situatën edhe më alarmante situatën është mungesa totale e reagimit nga Policia e Fushë-Krujës. Denoncuesja pohon se pavarësisht kallëzimit të kryer, autoritettet në Fushë-Krujë nuk kanë hapur kamerat e sigurisë dhe nuk po marrin asnjë veprim konkret për identifikimin e autoreve.
Familjarët e vajzës janë të dëshpëruar dhe i bëjnë apel publik çdo qytetari që mund të ndihmojë me informacion, si dhe vetë autores së dyshuar që ta kthejë çantën me të gjitha sendet brenda, përfshirë edhe varësen me vlerë të pazëvendësueshme, trashëgimi nga gjyshja e ndjerë.
“Ju lutem, bëjeni këtë gjest njerëzor. Nuk janë thjesht para, por është edhe kujtimi i një gjysheje që nuk jeton më,” – është apeli i përsëritur i familjes.