Ish-kryebashkiaku i Tepelenës i përfshirë në një rrjet grabitjeje tokash publike

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 12.07.2025, 22:13

Tërmet Peçi akuzohet për dhënien pa kriter të 85 hektarëve tokë dhe miliona euro fonde për kompanitë e të afërmve.

Një skandal i rëndë korrupsioni pritet të shpërthejë në ditët në vijim, me ish-kryebashkiakun e Tepelenës, Tërmet Peçi, në qendër të akuzave për shpërdorim pasurie publike dhe abuzim me fonde shtetërore e europiane.

Vetëm pak javë para se të marrë mandatin si deputet, Peçi ndodhet në qendër të një hetimi të avancuar nga SPAK-u, që sipas burimeve, pritet të përfundojë me ngritjen e akuzave penale ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve.

Hetimet e kryera nga Byroja Kombëtare e Hetimit kanë zbuluar një skemë sistematike abuzimi të ngritur nga Peçi në bashkëpunim me drejtorin e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit, Lorenc Bami. Dyshja kanë shpërndarë toka publike dhe tenderë përmes dokumenteve të falsifikuara, duke favorizuar kompani të afërta me motrën e Peçit dhe gruan e Bamit.

Dosjet e sekuestruara më 16 qershor 2025 zbulojnë se janë shpërdoruar rreth 85 hektarë tokë publike në formë qiraje apo koncesionesh të dyshimta, ndërkohë që vlera e fondeve të përvetësuara kap shifrën mbi 7.7 milionë eurove.

Kompanitë e përfshira në këtë skemë korruptive janë “NG Structures”, “Artreum Generation”, “Iumentis”, “Agroturizëm Urla”, “Agroturizëm Rexhini” dhe “Therrtorja Rajonale-Tepelenë”, të gjitha të lidhura drejtpërdrejt me familjarët e dy zyrtarëve të lartë vendorë.

Një rast i rëndë është ai i ujësjellësit për fshatrat Krahës dhe Qesarat në Memaliaj. Megjithëse janë paguar 4.1 milionë euro në qershor 2021, asnjë punim nuk është kryer, ndërsa në dokumentacionin zyrtar figurojnë si të përfunduara.

Nga viti 2019 deri në vitin 2025, kompanitë e lidhura me Peçin dhe Bamin kanë përfituar mbi 18 milionë euro në tenderë, ndërsa janë në hetim edhe procedura të tjera me vlerë mbi 66 milionë euro të dhëna nga bashkitë nëpërmjet ndikimeve politike.

Në shkurt 2024, me propozim të Peçit, këshilli bashkiak i Tepelenës miratoi dhënien e pasurive publike me qira dhe falas për kompaninë “Iumentis”. Më parë, në mars 2022, një tjetër pasuri iu dha motrës së Peçit për ndërtimin e resortit “Agroturizëm Rexhini”.

Përmes këtyre ndërmarrjeve, familjarët e dy zyrtarëve kanë përfituar mbi 1 milionë euro nga fondet e BE, të miratuara nga ish-drejtoresha e AZHBR-së Frida Krifca dhe të mbështetura publikisht nga kryeministri Edi Rama.

SPAK-u është në fazën e fundit të përgatitjes së dosjes penale dhe pritet të marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë, përfshirë edhe vetë Tërmet Peçin, tashmë deputet i zgjedhur.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit