Gjermania përballë së kaluarës: fjalime për Srebrenicën, përmenden edhe krimet serbe në Kosovë

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 12.07.2025, 21:25

Në një seancë përkujtimore në Bundestag për Srebrenicën, deputetët gjermanë kërkuan që të mos harrohen as masakrat serbe në Kosovë.

Parlamenti gjerman u mblodh për të përkujtuar 30-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, ku mbi 8.000 civilë boshnjakë u vranë nga forcat serbe në korrik të vitit 1995. Megjithatë, seanca nuk u kufizua vetëm në kujtimin e viktimave në Bosnje, por shërbeu edhe për të rikthyer në qendër të debatit politik krimet e kryera nga Serbia edhe në Kosovë.

Në sallën e Bundestagut, përveç deputetëve ishin të pranishëm edhe dy të mbijetuar të gjenocidit, si dhe ambasadorët e Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës. Politikanët gjermanë shprehën kritika të ashpra ndaj rolit të Serbisë në luftërat e përgjakshme të ish-Jugosllavisë, veçanërisht për qasjen mohuese ndaj krimeve të kryera.

Deputeti i CDU-së, Michael Brand, theksoi se Serbia, me mbështetjen e Rusisë, ka udhëhequr luftëra që prej vitit 1991. Ai akuzoi drejtpërdrejt presidentin Aleksandër Vuçiç si trashëgimtar i ideologjisë së Millosheviçit dhe si figurë e lidhur ngushtë me regjimin e Vladimir Putinit.

Një fjalim mjaft prekës mbajti edhe Jasmina Hostert, deputete e lindur në Sarajevë dhe e plagosur gjatë luftës, e cila u ndal në domosdoshmërinë e ballafaqimit me të kaluarën për të ndërtuar paqe të qëndrueshme në rajon.

Por seanca u tensionua kur një deputet i partisë AFD tentoi të relativizojë gjenocidin në Srebrenicë, duke nxitur reagime të forta nga të pranishmit dhe nga vetë drejtuesit e Bundestagut.

Përvjetori i 30-të i gjenocidit të Srebrenicës nuk u kthye vetëm në një moment përkujtimi, por edhe në një thirrje politike për të mos harruar krimet e tjera të luftës në Ballkan, përfshirë edhe ato në Kosovë.

Përmes kësaj seance, Gjermania ripërsëriti rolin e saj si zë kritik ndaj mohimit të së vërtetës historike dhe për nevojën e ndëshkimit të çdo forme të krimit shtetëror që ka goditur civilët në ish-Jugosllavi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit