Mbipopullimi i burgjeve, Suedia merr me qira qeli nga Estonia

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 12.07.2025, 18:52

Suedia po braktis gradualisht modelin e saj tradicional të rehabilitimit të të dënuarve, duke u zhvendosur drejt një qasjeje më ndëshkuese përballë rritjes së krimit dhe dhunës nga bandat. Si pjesë e kësaj strategjie të re, qeveria ka nisur përgatitjet për të marrë me qira deri në 600 vende në burgjet e Estonisë, për të lehtësuar mbipopullimin e sistemit të saj penitenciar. Kjo marrëveshje, e nënshkruar në qershor me Talinin, është pjesë e një pakete masash për të përballuar krizën në burgjet vendase, ku kapacitetet janë tashmë tejkaluar.

Shifrat e reja nga Shërbimi Suedez i Burgjeve paralajmërojnë se, nëse politikat ndëshkuese vazhdojnë me këtë ritëm, popullsia e të burgosurve mund të rritet deri në 41,000 deri në vitin 2034, nga vetëm 7,800 që janë aktualisht. Situata është veçanërisht alarmante për të miturit, pasi numri i të rinjve që marrin dënime të gjata po rritet, dhe qeveria po shqyrton uljen e moshës së përgjegjësisë penale deri në 14 apo edhe 13 vjeç. Për herë të parë, parashikohet krijimi i burgjeve specifike për të mitur, në vend të qendrave të kujdesit që kanë përdorur më parë.

Megjithëse Ministria e Drejtësisë mohon se Suedia po largohet nga modeli i rehabilitimit, shumë ekspertë paralajmërojnë se ky transformim përfaqëson një kthesë të madhe ideologjike. Kritikët thonë se dërgimi i të dënuarve në burgje jashtë vendit është vetëm një zgjidhje e përkohshme për një problem shumë më të thellë, dhe se vendi rrezikon të shkojë drejt një modeli burgosjeje masive, i panjohur më parë për shoqëritë nordike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit