Një emigrant shqiptar që prej vitesh jeton në Itali, ka dërguar një mesazh të veçantë në redaksinë e JOQ Albania për të falënderuar publikisht një bashkëatdhetar, i cili ka treguar një akt të rrallë ndershmërie dhe humanizmi.
Gjatë pushimeve që po kalojnë në Vlorë këtë verë, djali i tij humbi telefonin pa e kuptuar. Por falë një qytetari të ndershëm, telefoni u gjet dhe iu kthye të zotit pa kërkuar asgjë në këmbim.
Zotëria quhet Adelajd Belaj, një shqiptar i martuar me një zonjë angleze, dhe që sot meriton vlerësimin publik për veprimin e tij.
Në foto shihet djali i qytetarit së bashku me zotin Adelajd, njeriun zemërbardhë që i riktheu telefonin e humbur.
Mesazhi i plotë i qytetarit:
"Përshëndetje nga Vlora. Djali im i madh, duke dalë nga shtëpia, kishte humbur telefonin dhe nuk e dinim… na erdhi në profilat tanë një mesazh nga një zotëri i cili fatmirësisht e kishte gjetur dhe bëri çmos të na e dorëzonte… dhe erdhi me gjithë dëshirë në zonën e plazhit tek Marina në Vlorë dhe na gjeti… ne i bëmë një 'pensierono' për gjestin, por nuk na e pranoi absolutisht. Zotëria quhet Adelajd Belaj, është shqiptar dhe martuar me një zonjë angleze. Ne e falënderojmë shumë dhe donim ta ndanim me të gjithë këtë eksperiencë të këndshme… Kjo botë ka njerëz të mirë, nëse nuk i gjeni, të paktën bëhuni ju. Kam edhe foton e zotërisë. Ju faleminderit nëse e publikoni.”
JOQ Albania vlerëson gjestin e zotit Adelajd Belaj dhe inkurajon veprime të tilla që frymëzojnë komunitetin.